“Kosova rilind përmes futbollit”

“Kosova rilind përmes futbollit”

26 March 2019 12:15

Lojtarët e Kombëtares së Kosovës janë kthyer në idhuj në kohën kur ky shtet po futet në një gjeneratë të re të sportit, artit dhe kulturës. Një vend me bukuri natyrore, por i dëmtuar nga lufta. Luftuan shumë gjatë për t’u njohur nga FIFA, por tani po lënë gjurmë në botën e futbollit me kualifikimin për Euro 2020 si mundësi reale.

Kështu nis përshkrimin e episodit “Kosova, një komb i rilindur” transmetuesi i njohur televiziv australian “Optus”.

Në disa video të shkurtra në Twitter, për “Optus” kanë folur lojtarët kryesorë, por edhe përzgjedhësi Bernard Challandes, kryetari i FFK-së Agim Ademi e “Dardanët”.

Në videon e parë, kapiteni Samir Ujkani tregon se Kosova ka shumë lojtarë që kanë lindur jashtë vendit, ndërsa Challandes tregon se në fillim për t’i ftuar futbollistët në kombëtare duhet t’i lusin ata. Një tifoz pret që Kosova për pesë vjet të mund të fitojë ndaj kujtdo, transmeton Koha.net.

 

 

Në një video tjetër, kujtohet se si gjatë viteve të ’90-a gjithçka u ndal sa i përket futbollit. Ademi tregon se aktivitetet ishin ndalur për shkak të problemeve me Serbinë. Ademi ka treguar për “Optus” se tani Kosova ka dy stadiume të pranuar ndërkombëtarisht.

Në video kujtohet edhe momenti i pranimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare të futbollit.

Gazetari Adem Sylejmani e ka quajtur atë moment sikur të ishte një dhuratë për një fëmijë të vogël.

 

 

Në videon e tretë, Challandes shpjegon edhe rastin e Albian Ajetit që ka zgjedhur të luajë për Zvicrën.

“Ai është nga Kosova, e do Kosovën, babai i tij më tha që ai do të luajë tani për Zvicrën dhe e pranoj këtë. Nuk është problem për mua”, ka thënë ai.

Valon Berisha ka folur për Norvegjinë ku është rritur si futbollist duke vlerësuar se aty i është dhënë rasti për t’u bërë futbollist profesionist, ndërsa njëjtë është shprehur edhe Hekuran Kryeziu për Zvicrën. Kryeziu madje tregon se ka pasur mundësinë të luante edhe për Shqipërinë, por “prindërit e mi kanë lindur këtu dhe ishte vendim i lehtë të zgjidhja të luaja për Kosovën”.

Ujkani ka thënë se është krenar që një kohë ka luajtur për Shqipërinë, por “pranimi i Kosovës ishte ëndërr e bërë realitet për mua”.

“Ishte sikur ëndërr dhe kur pata dëgjuar se kemi humbur familjet, më kujtohet se si i vogël i kam thënë babait se dua të luaj për Kosovën. Kur ndodhi lufta, shumë gjëra të këqija ngjanë dhe ndjeva se kështu mund të kthej për gjithçka, për familjen time dhe njerëzit që kanë luftuar”, ka thënë Ujkani.

 

 

Challandes po ashtu flet për Ligën e Kombeve. Thotë se ajo është rast i mirë për kombëtare si Kosova që të arrijnë në Kampionatin Evropian.

“Nuk është ëndërr e pamundshme”, ka thënë ai teksa e ka quajtur të jashtëzakonshëm rastin për kualifikim në Euro 2020.

 

 

Të hënën Kosova pati paraqitjen e parë në kualifikimet për Euro 2020. Ajo barazoi në shtëpi me Bullgarinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme