Të mrekullueshme e ka përshkruar atmosferën në kampin e Kombëtaress së Kosovës, ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti.
E ka bazuar këtë në formën dhe kualitetin e stërvitjes, e veçmas kësaj të fundit.
“Më vjen mirë se këta lojtarë e kanë harruar shpejt ndeshjen ndaj Danimarkës, dhe iu kthyen ndeshjes kundër Bullgarisë. Në stërvitje kanë dhënë maksimumin dhe është një premtim nga ta për ne dhe për shikuesit se do të japim maksimumin në ndeshjen e nesërme”, ka thënë Sahiti, në një paraqitje për KTV-në.
Ai ka thënë se gjatë këtyre ditëve kanë analizuar shumë kundërshtarin.
“Mos të mashtrohemi që Bullgaria nuk është një skuadër serioze, është shumë e fortë shumë agresive. Janë shumë vrapues të mëdhenj. Ndoshta nuk ka shumë emra, por ka një ekip shumë të mirë. Kjo Bullgari e ka mundur edhe Holandën edhe Suedinë”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se shtabi teknik ka bërë maksimumin që të përgatisin skuadrën.
Sahiti tha të kenë analizuar në mënyrë të veçantë ndeshjen e Bullgarisë ndaj Malit të Zi.
“E kemi analizuar shumë herë ndeshjen që e ka luajtur me Malin e ZI. Kemi menduar se si të veprojmë më këso skuadra që shumicën e kohës mbrohen dhe ndeshjen e bazojnë në kundërsulme”, ka thënë Sahiti.
“Nuk bazohemi në mungesat që ka, por në grupin që ka. Do ta aplikojmë atë mënyrën tonë të lojës, dhe besojmë se do të dalim faqebardhë”, ka thënë Sahiti.
Pret që, si në të kaluarën, edhe kundër Bullgarisë, motivi nga Dardanët dhe nga shikuesit në përgjithësi ta bëjë të veten.
{gallery}
“Ky lloj motivi po u ndihmon futbollistëve që të zbatojnë përgatitjet taktike”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për mundësinë që në 11-shen startuese të jetë edhe Benjamin Kololli.
“Stafi mjekësor është duke u marrë me Kolollin, ende nuk dihet saktësisht nëse do të luajë, nesër paradite do të kemi një informacion më të saktë. Dëshira e tij e madhe është që të luajë. Por ne duam një lojtar që është 100 për qind. E mira është që Hekuran Kryeziu na është kthyer 100 për qind, dhe se lojtarët e tjerë janë në formë shumë të mirë”, ka thënë ai, përcjell Koha.net. “Akoma nuk jemi përcaktuar për formacionin. Nesër në mesditë do të vendosim përfundimisht”, ka shtuar më tej.
Në fund Sahiti ka kujtuar se Kosova nuk di për humbje që nga tetori i vitit 2017 dhe kemi krijuar njëfarë vetëbesimi.