Sport

Kosova “ia fal” barazimin Danimarkës

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Një top i humbur në vendin ku nuk bën të driblohet me të dhe një shpërqendrim në çastet e fundit të ndeshjes, i kushtuan Kosovës me fitore. Por edhe me këto gabime, Kosova arriti të nxirrte barazim ndaj Danimarkës, skuadër që aktualisht rangohet e dhjeta në listën e FIFA-s.

Kosova barazoi 2:2 në ndeshjen miqësore të luajtur të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndonëse në dy raste ishte në avantazh, 1:0 dhe 2:1. Madje golin e dytë e pranoi në minutën e parë shtesë (91’), kur lojtarët në fushë e më shumë tifozët në tribuna po bëheshin gati për festë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por festa, megjithatë, nuk mungoi. Arsye për këtë ishin golat e shumtë, por edhe aksionet e rrjedhshme e driblimet e shpeshta të “dardanëve”.

Kjo ishte ndeshja e parë për këtë vit dhe e fundit përgatitore para nisjes së eliminatoreve për “Euro 2020”.

Kosova të hënën e pret Bullgarinë, po në “Fadil Vokrri” në kuadër të Grupit A, ndërkohë Danimarka të martën luan me Zvicrën në kuadër të Grupit D.

Për Kosovën ishte vazhdimësi e serisë impresive. Është ndeshja e 11-të rresht pa humbje. Seria nisi në fund të vitit 2017 dhe po vazhdon edhe tash më 2019.

Te Kosova presin që kështu, pa humbje, të jetë edhe të hënën në ndeshje me Bullgarinë.

Në fakt, këtu edhe është fokusi, pasi është ndeshje eliminatore.

“Tash e di shumë mirë se çfarë na pret kundër Bullgarisë dhe kjo do të jetë një ndeshje krejtësisht tjetër, pasi bullgarët kanë një stil tjetër dhe luajnë futboll fizik. Nëse nuk luajmë mirë kundër Bullgarisë, atëherë kjo paraqitje me Danimarkën nuk do të vlejë asgjë. Duhet të harrojmë këtë ndeshje dhe të përgatitemi e të mendojmë për Bullgarinë”, ka thënë trajneri i Kosovës, Bernard Challandes.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)