Në një kabinë të vogël dhe pa kushte, në kampin e refugjatëve Rwanga që gjendet në veri të Irakut, 12 femra të fisit yazidi kanë ardhur për të mësuar të boksojnë.
Ato njihen si “Motrat boksiere”. Ato janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve të pamëshirshme të Shtetit Islamik në Irak. Tash, këto femra kanë gjetur një vend që mund ta quajnë shtëpi të dytë.
“Kur isha në fshatin tim, kam shfrytëzuar çdo mundësi për t'u marrë me ndonjë sport. Kam qenë anëtare e ekipit të basketbollit të shkollës me të cilin patëm arritur të fitojmë një garë regjionale”, kujton Husna 17-vjeçare.
Kur grupi ISIL sulmoi fshatin e Husnas në Sinjar, ajo me anëtarët e tjerë të familjes u detyruan të largoheshin për të shpëtuar kokat, duke lënë çdo gjë prapa vetes.

“Ishte ora shtatë e mëngjesit kur xhaxhai im mori një mesazh në telefon nga një i afërm që jetonte në një fshat tjetër. Ai i tha që të largoheshim menjëherë nga shtëpia për shkak se ISIL-i ishte rrugës drejt fshatit tonë për të kryer sulmin e radhës”, vazhdon Husna, shkruan “Al Jazeera”, transmeton “Koha Ditore”. “Zemra fillon të më rrah shpejt dhe frymëmarrja më vështirësohet kur e kujtoj atë moment.
Kështu Husna dhe familja e saj përfunduan në Rwanga, një nga kampet më të mëdha për personat e zhvendosur brenda rajonit kurd të Irakut. Shumica prej 15 mijë banorëve të këtij kampi i takojnë fisit yazidi.
Projekti “Motrat boksiere” u lansua në kampin Rwanga nga “Lotus Flower”, organizatë jofitimprurëse britanike që fokusohet në refugjatët e gjinisë femërore. Kjo organizatë ka për synim përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor të femrave.
Husna si më e njohura në kamp, së shpejti pritet të debutojë në boksin amator. E shpejt pret të bëhet edhe trajnere.