Kosova kërkon fitore ndaj Rumanisë për të kthyer besimin

Kosova kërkon fitore ndaj Rumanisë për të kthyer besimin

Tahir Sopi Tahir Sopi 23 February 2019 09:03

Ndonëse shmangia e pozitës së fundit në grup nuk është e mundur, ndeshja e Kosovës ndaj Rumanisë është me rëndësi. Kështu kanë vlerësuar të premten në Përfaqësuesen e Kosovës në basketboll.

Ndeshja Kosova - Rumania luhet të dielën (20:30) në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Është ndeshja e fundit e Grupit B e raundit të dytë të paraeliminatoreve për "Eurobasket 2021". Kosova është e fundit (3) në grup dhe në këtë pozitë edhe do të përfundojë, shkruan sot Koha Ditore.

Rumania të enjten fitoi 65:53 ndaj Maqedonisë dhe kështu siguroi vendin e dytë në grup, ndonëse fitorja nuk i mjaftoi për të mbetur në garë për pozitën e parë. Vendi i parë në grup do t'i takojë Maqedonisë, që kështu kalon në fazën kualifikuese për "Eurobasket 2021".

Kosova, por edhe Rumania, biletën për fazën kualifikuese do ta kërkojnë në raundin e tretë të parakualifikimeve, që mbahet në gusht të këtij viti. Në atë fazë kundërshtarët vlerësohen më të dobët se në raundin e dytë parakualifikues.

Kosova i ka humbur tri ndeshjet e deritashme në këtë raund. Ka pësuar dy herë nga Maqedonia e një herë nga Rumania. Seria negative është shumë më e gjatë. Kosova i ka edhe gjashtë humbje në raundin e parë kualifikues për Botërorin e këtij viti. Pasi nuk mundi të dalë në raundin e dytë të kualifikimeve për Botëror, Kosova vazhdoi garimin në parakualifikimet për evropianin e ardhshëm. Kosova fitoren e fundit e ka shënuar më 19 gusht të vitit 2017, kur në Prishtinë fitoi me shifrat 75:69 ndaj Estonisë. Me atë fitore "dardanët" kompletuan një sukses të vlerësuar si historik - kaluan parakualifikimet për Botëror.

Ndërprerja e serisë së humbjeve vlerësohet me peshë për Kosovën, para raundit të tretë të parakualifikimeve. Dështimi eventual në atë fazë do të nënkuptonte hap të madh prapa për basketbollin kosovar.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme