Sport

UEFA heton Ramosin për kartonin e verdhë

Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, do të hetohet lidhur me komentet që ka bërë për ndëshkimin me karton të verdhë në ndeshjen kundër Ajaxit në Ligën e Kampionëve.

Ramosi u ndëshkua kah fundi i takimit për një ndërhyrje ndaj sulmuesit Kasper Dolberg. Reali po fitonte ndeshjen me rezultat 2 me 1 në momentin e ndëshkimit të Ramosit, i cili do të mungojë në ndeshjen e kthimit shkaku i kartonit të verdhë.

Ramosi pas takimit ka pranuar se me qëllim ka bërë ndërhyrjen për kartonin e verdhë, për të shmangur mungesën në çerekfinale.

“Duke parë rezultatin, do të gënjeja të thosha se nuk e kam bërë me qëllim [ndëshkimin]”, ka thënë ai pas ndeshjes.

“Nuk është se kam nënvlerësuar kundërshtarin, as për të menduar se ka përfunduar dilema [e fituesit], por në futboll duhet të marrësh vendime të vështira”, ka shtuar ai.

Këto komente i mohoi mbrojtësi Ramosi, tani duke thënë se ndërhyrjen nuk e ka bërë me qëllim.

“Dua ta bëj të qartë se nuk jam ndëshkuar me qëllim, ashtu siç ndodhi edhe kundër Romës sezonin e kaluar”, ka shkruar Ramosi në Twitter.

Në një komunikatë të publikuar të enjten, UEFA ka konfirmuar se komentet e Ramosit do të hetohen.

“Një hetim disiplinor është nisur nga UEFA në lidhje me deklaratat e lojtarit të Real Madridit, Sergio Ramos”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.

“Informacionet tjera lidhur me këtë rast do të bëhen të ditura me kohë”, thuhej veç të tjerash.