Sport

Alaj pret rivalitet të fortë me Prishtina 01 në finale të Kupës, beson në triumfin e Liburnit

Futbollisti i klubit të futsallit Liburni, Ramadan Alaj pret finale të vështirë ndaj FC Prishtina 01 në kuadër të Kupës së Kosovës.

Liburni shënoi fitore të thellë sonte ndaj FC Prishtinës, 8 me 3, për ta siguruar kualifikimin në finale të Kupës, dhe Alaj është shumë i kënaqur me performancën e ekipit.

“Luajtëm një ndeshje të bukur sonte, ku adhuruesit e futsallit patën mundësinë të shijojnë një spektakël që dhuroi skuadra jonë. Të gjithë lojtarët treguan formë të lartë dhe luajtën me përgjegjësi ku në fund arritëm të fitojmë me rezultat të thellë prej 8:3”, u shpreh Alaj për Koha.net.

Alaj, që shënoi sonte “hat-trick”, pret një ndeshje të vështirë ndaj Prishtina 01 megjithatë është optimist se Liburni do të dalë triumfues.

“Në finale pritet të kemi një rivalitet të madh ku dihet se skuadra e Prishtina 01 në ekipin e saj ka lojtarë cilësorë dhe janë të motivuar pasi finalja luhet në palestrën e tyre në Prishtinë. Por, besoj që edhe në finale të dalim kokë lartë si në ndeshjen e sotme”, u shpreh Alaj për Koha.net.