Sport

Kosova kërkon lavdinë në “teatrin e xhudos”

Arena "Accor Hotels" do të transformohet në teatër të xhudos të shtunën (sot) e të dielën, ka shkruar sajti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). Dhe rol të madh në "teatrin" e famshëm të Parisit kërkojnë tre xhudistët e Kosovës, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Akil Gjakova.

Nora, Distria e Akili do të garojnë të shtunën (sot), në ditën e parë të turneut më të famshëm të xhudos, atij "Grand Slam" të Parisit. Gjithsej në Paris, në arenën që mbledh deri në 14.500 shikues, do të garojnë 573 xhudistë nga 97 vende. Në mesin e tyre ka edhe kampionë olimpikë e kampionë botërorë.

Triumfi eventual në Paris bën vend për xhudistët në elitën botërore të këtij sporti. Këtë e ka përjetuar para një viti Akil Gjakova, që befasoi duke triumfuar në kategorinë deri 73 kilogramë.

Distria Krasniqi i ka dy medalje të bronzta në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa tani shpreson të bëjë hapin para në kategorinë deri 48 kilogramë. Nora Gjakova nuk ka medalje në Paris, por ajo është bartësja e parë në kategorinë deri 57 kilogramë dhe e gatshme të hapë "llogarinë" e saj në këtë Grand Slam.

Trajneri Driton Kuka ka vendosur të pushojë Majlinda Kelmendin e Loriana Kukën që fituan medalje muajin e kaluar në Tel-Aviv. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).