Sport

Krajnoviq thotë se ka kontratë me Bashkimin

Trajneri Krunoslav Krajnoviq insiston se ende nuk ka arritur marrëveshje me zyrtarët e KB Bashkimit për shkëputjen e kontratës, ndonëse më herët klubi nga Prizreni kishte njoftuar për lirimin e tij.

Krajnoviq që mori drejtimin e kampionit në fuqi para fillimit të këtij edicioni është ende në Prizren, por ka një javë që nuk po i mbanë stërvitjet.

"Marrëveshja mes meje dhe Bashkimit nuk është arritur dhe me klubin kam ende kontratë valide. E vërteta është se më 14 janar, të hënën mbrëma më kanë pamundësuar t'i mbajë stërvitjet edhe pse kam qenë i pranishëm në ato stërvitje deri më deri më 16 kur para ndeshjes me Teutën kam marrë një dokument nga klubit që nuk kam më nevojë të jem i pranishëm në stërvitje apo lojë", ka thënë shkurt Krajnoviq për "koha.net".

Ai në dy ndeshjet e fundit nuk e ka udhëhequr Bashkimin, të cilat i ka humbur nga Teuta në Ligën Ballkanike dhe Golden Eagle Ylli në kuadër të Superligës së Kosovës.