Sport

Messi insiston se rezultati në “Topin e Artë” nuk ishte motivues për të

Lionel Messi insiston se përfundimi në vend të pestë në çmimin “Topi i Artë” që u nda të hënën, nuk ishte faktor motivues prapa performancës së tij sensacionale të shtunën, në fitoren 4:0 të Barcelonës në La Liga ndaj rivalit lokal Espanyolit.

Superylli argjentinas shënoi dy gola spektakolarë nga gjuajtja e lirë dhe asistoi një tjetër për Ousmane Dembelen, në një performancë spektakolare, shkruan sot “Koha Ditore”.

Messi, fitues i pesëfishtë i “Topit të Artë”, nuk është futur në treshe në këtë çmim për herë të parë në një dekadë. “Topin e Artë” këtë vit e fitoi mesfushori kroat i Real Madridit, Luka Modriq.

“Jo”, është përgjigjur kapiteni i Barcelonës, Messi për “Movistar” kur është pyetur nëse kishte këtë si motivim shtesë për paraqitjen. “Ne të gjithë ishim të motivuar nga fillimi i ndeshjes, shumë të përqendruar dhe të vendosur. Ne e dinim se duhej të ishim ashtu për shkak të stadiumit se ku po luanim dhe kundërshtarit me të cilin po përballeshim. Espanyol është duke pasur një stinor të madh”.

Bashkëlojtarët e kanë vlerësuar lart Messin, ndërsa nuk janë pajtuar me renditjen e “Topit të Artë” dhe po ashtu edhe me fjalët e legjendës braziliane Pele, që tha se Messi është lojtar që ka vetëm një shkathtësi e luan vetëm me një këmbë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)