Sport

Ademi mendon se Kosova ka shans të mirë për kualifikim në Euro 2020 përmes eliminatoreve të rregullta

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se mendon që Kosova ka shans të mirë të kualifikohet në Kampionatin Evropian 2020 përmes eliminatoreve të rregullta.

Sot në Dublin, Kosova u caktua të jetë pjesë e Grupit A me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë e Malin e Zi në formën e rregullt kualifikuese.

“Grupi është interesant, por i besoj ekipit tonë që mund t’ia dalë. Besoj në kualitetin dhe përkushtimin e tyre dhe punën e trajnerëve. Mendoj se do t’ia dalim grupit. Asnjë ndeshje s’është e lehtë, por jemi në trend të fitoreve, të rritjes e ngritjes. E shoh si grup që na konvenon. Në grup e shoh kualifikimin sepse besoj që duke u bazuar në formën dhe kualitetin e grupit mendoj se do të kualifikohemi”, ka thënë ai pas shortit.

Pos këtyre kualifikimeve, Kosova ka një tjetër rast kualifikimi më 2020 përmes Play-Offit të Ligës së Kombeve, ku tashmë ka arritur në gjysmëfinale.