Sport

Kosova sot mëson kundërshtarët për eliminatoret e Euro 2020

Sot në mesditë, në orën 12:00, në Dublin të Irlandës do të nisë rrugëtimi për në Euro 2020, pasi do të hidhet shorti për fazën eliminatore të kësaj gare.

Të 55 përfaqësueset evropiane, të ndara në 6 vazo të ndryshme, do të njohin sot kundërshtarët e tyre në rrugën drejt Euro 2020, ndërsa pas shortit do të formohen 5 grupe me 6 skuadra dhe 5 të tjerë me 5 skuadra, shkruan tch.

Kombëtarja shqiptare është e pozicionuar në vazon e 4-t dhe “kryqëzon gishtat” për një short të favorshëm, për të synuar për herë të dytë radhazi pjesëmarrjen në këtë eveniment.

Për herë të parë në eliminatore do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e Kosovës, e cila pasi kreu një fushatë shumë të mirë në ligën e Kombeve, është gati të synojë një objektiv më madhor.

Kosova bën pjesë në vazon e pestë dhe ashtu si Shqipëria, do të lutet për të mos u përballur me kundërshtarë shumë të fortë në vazot paraardhëse.

Ndarja e 55 Përfaqësueseve sipas vazove, para shortit:

Vazoja e parë: Anglia, Portugali, Holanda, Zvicra, Spanja, Belgjika, Italia, Kroacia, Franca dhe Polonia.

Vazoja e dytë: Gjermania, Bosnja Hercegovina, Çekia, Danimarka, Islanda, Rusia, Suedia, Ukraina, Uellsi dhe Austria.

Vazoja e tretë: Finlanda, Irlanda e Veriut, Norvegjia, Irlanda, Serbia, Sllovakia, Turqia, Bullgaria, Izraeli dhe Skocia.

Vazoja e katërt: Shqipëria, Qipro, Estoni, Gjeorgji, Greqi, Lituani, Mali i Zi, Estoni, Hungari dhe Rumani.

Vazoja e pestë: Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjilbraltar, Kazakistan, Kosova, Luksemburg, Maqedoni, Moldavi dhe Ishujt Faraore.

Vazoja e gjashtë: Andora, Letonia, Lihtenshtejni, San Marino dhe Malta.