Presioni po rritet gjithnjë e më shumë mbi portierin e Spanjës, David de Gea. Tifozët dhe mediumet po bëjnë thirrje për largimin e tij pas humbjes nga Kroacia (3:2), të enjten mbrëma në kuadër të Ligës së Kombeve. Në fakt, kjo është humbja e dytë rresht e Spanjës dhe tash po e rrezikon plejofin në këtë garë. Në xhiron e kaluar u mposht në terren të vetin nga Anglia.
De Gea është numri një i Spanjës prej "Euro 2016", por ai asnjëherë nuk ka treguar formën e tij mbresëlënëse që e shfaq shpesh te Manchester Unitedi. De Gea është fajësuar për humbjen nga Kroacia në Zagreb, me një gol në çastet e fundit. Ai është kritikuar që nuk arriti ta mbyllë me kohë sulmuesin kroat Andrej Kramariq, i cili shënoi golin e epërsisë (1:0), shkruan sot Koha Ditore.
"Sulmuesi i Kroacisë ka bërë atë që shumica e lojtarëve e kanë bërë gjatë vitit të fundit kur kanë pasur rastin të dalin përballë De Geas. Ai ka dërguar topin në rrjetë pa u penguar pothuajse fare prej De Geas", ka shkruar gazetari spanjoll Diego Torres në "El Pais".
Tomas Roncero, gazetar i së përditshmes "AS" ka qenë kritik ndaj De Geas që prej eliminimit të Spanjës në botërorin "Rusia 2018". Ai vazhdimisht ka insistuar se ka ardhur koha që të bëhet një ndërrim në portën e Spanjës.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)