“Goal”: Sa mund të durojë Emery gabimet e Xhakës

“Goal”: Sa mund të durojë Emery gabimet e Xhakës

12 November 2018 17:01

Ndonëse ka treguar shenja përmirësimi këtë sezon, mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka, nuk po arrin të shmangë disa gabime që po i kushtojnë “Topçinjve”.

Në një opinion të Chris Wheatley, gazetar i mediumit të njohur sportiv “Goal”, është shtruar pyetja se sa Arsenali dhe trajneri i ri Unai Emery mund të durojnë gabimet e Xhakës.

Aty shkruhet se Xhaka është një enigmë e Arsenalit. Sipas “Goal”, Xhaka ka arritur të kthejë ndeshjet e mira që ka pasur në po aq ndeshje me gabime, transmeton Koha.net.

Ky shkrim erdhi pas gabimit të Xhakës në barazimin 1 me 1 të Arsenalit me Wolverhamptonin të dielën.

Në këtë opinion theksohet se Xhaka hyri në ndeshje pas “një performance ndoshta më të mirën në fanellën e Arsenalit, atë kundër Liverpoolit herën e fundit në Premier Ligë”.

“Ardhja e Lucas Torreiras i ka dhënë më shumë liri reprezentuesit zviceran, pas disa ndeshjeve si mbrojtës i majtë me rezultate të përziera. Paraqitja ndaj ekipit të Jurgen Kloppit paralajmëroi se një lojtar më në fund po tregon veten në Londrën veriore. Ai pati më së shumti pasime në fushë, më së shumti përmirësime, ndërhyrje dhe krahas Torreiras ishte çelës i ndaljes së finalistëve të sezonit të shkuar në Ligën e Kampionëve nga loja e tyre e rrjedhshme”, thuhet në këtë opinion që vazhdon se “në ndeshjen ndaj Wolverhamptonit, ishte Xhaka që ra në qendër të vëmendjes për gabime”.

“Pavarësisht se pati 89 për qind saktësi të pasimeve ndaj Wolvesit, mungesa e tij e koncentrimit në fillim, pasi mori një pasim nga Sead Kolasinac, ia mundësoi Ivan Cavaleiros të hapë rezultatin për mysafirët. Po të mos ishte goli i barazimit nga Henrikh Mkhitaryan katër minuta para fundit, do të ishte gabim që vendos ndeshjen”, shkruan më tej gazetari i “Goal”.

Kjo ishte një nga 29 rastet kur Xhaka kishte humbur posedimin ndaj skuadrës së Nuno Espirito Santos, duke humbur topin në më shumë raste se secili lojtar tjetër. Xhaka tani ka bërë pesë gabime që kanë çuar direkt në gola të Premier Ligës që kur debutoi për klubin më 2016. Asnjë lojtar nuk e ka arritur këtë shifër.

Wheatley vazhdoi duke treguar përkrahjen që mori Xhaka nga Emery pas pyetjes për gabimin e lojtarit. “Ai pati angazhim të madh dhe tregoi karakter. Performancat e tij me kualitetin e tij janë të mira për ne. Na duhen të gjithë. Për mua dhe skuadrën, na duhet vazdhimësi. Mendoj se më e rëndësishmja është të rrisim vetëbesimin dhe të krijojmë pak nga pak me punë të mëdha. Mendoj se po e bëjmë këtë dhe edhe Xhaka po e bën”, kishte thënë Emery.

Mungesa e vazhdimësisë nga Xhaka është një sistem që po i ndodh edhe Arsenalit, sipas gazetarit të “Goal”. Asnjë skuadër e Premier Ligës nuk ka bërë më shumë gabime se Arsenali (17) që nga fillimi i sezonit të shkuar.

“Mbetet të shihet sa gjatë mund të jetë i durueshëm me Xhakën, trajneri i Arsenalit Emery. Aftësia e tij për të lidhur pjesën ofensive me gjuajtjet e lira sikur ajo ndaj Crystalit, shërbejnë si dëshmi se ai ka kapacitete për të dhuruar momente të mëdha nga asgjëja për të bërë dallimin. Pavarësisht mungesës së eksperiencës krahasuar me lojtar që e kanë dëshmuar veten në tre turne ndërkombëtarë, lojtarët si Matteo Guendouzi dhe Ainsley Maitland-Niles i ofrojnë Emeryt alternativa nëse atij i humb durimi me Xhakën. Edhe Aaron Ramsey mund të jetë pranë Torreiras, edhe pse uellsiani pritet të largohet nga klubi gjatë verës e Emery është i vendosur ta ruajë si alternativë për Mesut Ozilin”, shkruhet më tej.

“Në Emirates mund të këndohet që të kthehet Arsenali i vjetër, por defektet në mbrojtje që penguan Arsene Wengerin në sezonin e fundit të tij mbeten akoma, me Xhakën ndër fajtorët kryesorë”, ka shkruar më tej Wheatley.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme