Sport

Xhudistët kosovarë të premten nisin garat në Grand Prix në Uzbeskistan

Xhudistët nga Kosova do të vazhdojnë garat në Grand Prix-in e “Tashkentit” të Uzbekistanit që nis të premten.

Medalistja olimpike Majlinda Kelmendi, që momentalisht renditet si xhudistja e 22-të në botë për shkak të lëndimit të gjatë që e pati, do të garojë në kategorinë deri në 52 kg. Finalistja e Abu Dhabit para dy javësh, do ta kërkojë medaljen e artë, dhe në rrugëtimin deri në atë sukses, gjatë rrugës do ta gjejë Evelyne Tschoppin e Zvicrës, polaken Agata Perenc, Gili Cohen të Izraelit apo hungarezen Reka Pupp, transmeton KTV.

Pas garës dëshpëruese në Kampionatin Botëror në Baku ku Nora Gjakova e zuri vendin e shtatë, xhudistja pejane në kategorinë deri në 57 kg u kthye për ta fituar të artën në Grand Slamin e Abu Dhabit më 27 tetor, e tani shpreson ta përsëris një sukses të tillë.

E argjendta e Abu Dhabit, Distria Krasniqi poashtu do të jetë pjesëmarrëse në këtë Grand Prix në kategorinë deri në 48 kg, si dhe medalistja e artë e Gyorit të Hungarisë në Evropianin e të rinjve, Loriana Kuka, në kategorinë deri në 78 kg.

Në Grand Prix-in e Tashkentit, të premten garojnë Majlinda, Nora dhe Distria, kurse Loriana lufton të dielën. Kjo garë poashtu është e rëndësishme për pikë olimpike.