Në javën e 12-të të Superligës së Kosovës në futboll sot janë zhvilluar tri ndeshje.
Flamurtari ka shënuar fitore si mysafir kundër Ferizajt, me rezultat 3:2, në një ndeshje mjaft interesant dhe me shumë raste. Pjesa e parë i takoi plotësisht ferizajasve, të cilët krijuan shumë raste shënimi, por që arritën të konkretizojnë vetëm njërën prej tyre, atë të minutës së 28-të, kur Florim Bërbatovci shënoi me kokë pas harkimit të Arbër Mones, bën të ditur FFK-ja përmes faqes zyrtare.
Megjithatë, në pjesën e dytë kuqezinjtë e kryeqytetit përmbysën gjithçka me golin e shënuar nga Egzon Krasniqi (55’) dhe dy golat e Iljasa Zylfijit (69’ e 88’). Në minutat e mbetura ferizajasit e ngushtuan epërsinë me golin e Mentor Mazrekajt (2:3), por nuk patën më as kohë e as forcë për ta ndryshuar edhe epilogun e takimit.
Ndërkohë, fitore si mysafire realizoi edhe skuadra kampione, Drita në duel me KEK-un, me rezultat 2:1. Deri te kjo fitore kampionët arritën shumë më vështirë se sa e kishin parashikuar.
Madje, “elektricistët” ishin shumë afër të shkaktojnë befasi të madhe. Në fakt, gjilanasit kaluan në epërsi me golin e Betim Haxhimusës, në minutën e 7-të, por në minutën e 90-të vendasit barazuan shifrat në 1:1. Mirëpo, në minutën e katërt të shtesës Betim Haxhimusa shënoi sërish, duke e shmangur befasinë e kësaj jave.
Ndërkaq, derbi i skuadrave fqinje ndërmjet Ballkanit dhe Lirisë që u zhvillua në Therandë ka përfunduar me fitoren e vendasve, me rezultat 1:0, me golin e shënuar nga Borche Manevski, në minutën e 79-të.