Sport

Sevilla kërkon fitore si mysafir ndaj Barcelonës dhe shkëputjen në tabelë

Duel i kreut të tabelës do të zhvillohet në Spanjë ku Barcelona në “Camp Nou” e pret lideren Sevillan.

Sevilla këtë fillim edicioni e ka nisur në mënyrë të përkryer dhe apetiti për të qëndruar lartë në tabelë sa shkon e rritet, transmeton KTV.

Andaluzianët kanë 16 pikë në krye, një më shumë se Barcelona e vendit të dytë, dhe një fitore e mundshme do t’i shkëputte ata edhe më shumë në luftën për titull.

Katalunasit kanë startin më të dobët të ligës, që prej vitit 2016, duke humbur një ndeshje, e duke barazuar në tri nga katër ndeshjet e fundit.

Megjithatë, të udhëhequrit e Ernesto Valverdes nuk dinë për humbje në impiantin e vet në të gjitha garat, tash e dy vjet.

Sevilla nuk ka fituar në “Camp Nou” që prej vitit 2002, por forma nëpër të cilën po kalon kjo skuadër është për t’u marrë seriozisht, pasi kanë fituar në katër ndeshjet e fundit. Në proces kanë realizuar 14 gola, ndërsa e demoluan Real Madridin duke i mposhtur madrilenët, 3:0.

Nëse e shohim përballjen mes trajnerëve, Valverde e ka mposhtur teknikun e Sevillas Pablo Machin tri herë.

Te Barcelona nuk do të luajnë qendërmbrojtësit Umtiti e Vermaelen, kurse në dyshim janë Sergi Roberto e Samper, ndërsa te Sevilla përfundimisht jashtë fushave mbetet Amadou dhe Gonalons, ndërkaq Escudero e Mercado nuk dihet nëse do të jenë plotësisht të gatshëm për lojë.

Rreziku kryesor për “Katalunasit” mbetet padyshim dyshja e sulmit Ben Yedder e Andre Silva, që së bashku kanë realizuar 12 gola në ligë.

Barcelona-Sevilla luhet të shtunën në ora 20:45.

Real Madridi, që nuk ka shënuar gol e fitore në katër ndeshjet e fundit do të luajë në shtëpi kundër Levantes. Një formë e dobët e tyre si kjo figuron që nga viti i largët 1985.

Kundër Levantes, Lopetegui do ta ketë në fushë të gatshëm Iscon që kthehet në formacion pas operimit që e pati dhe mbrojtësin Marcelo po ashtu, ndërsa i vetmi që do të mungojë në këtë ballafaqim është Dani Carvajal, mbrojtësi i krahut të djathtë.

Të shtunën, Real Madridi luan me Levanten në ora 13:00.