SOT

Veshjet kombëtare kërkohen për dasmë dhe ditën e kanës

Sezoni i verës po afron, e me të edhe pushimet e mërgimtarëve që destinacion kanë vendlindjen e tyre, Kosovën.

E në këtë periudhë fillon edhe sezoni i dasmave dhe ahengjeve të tjera familjare. Në këto ngjarje të veçanta, veshjet kombëtare zënë një vend të rëndësishëm.

Sipas Dita Orana Zenelit nga OJQ DITA, mërgimtarët qysh nga viti i kaluar kanë bërë rezervimet për veshjen kombëtare me të cilat duan të paraqiten në dasmat e tyre, e kjo falë përkushtimit të prindërve për të kultivuar te fëmijët dashurinë për vendin dhe trashëgiminë kulturore.

“Me fillimin e sezonit ne jemi të përgatitur dhe presim mërgimtarët që na vijnë të përmallshëm për vendin, për veshjet kombëtare, po ashtu ata që do të martohen këtë vit kanë filluar rezervimin qysh nga viti i kaluar, por edhe tani janë duke vazhduar. Fatmirësisht edhe promovimi i mediave dhe nënave që kanë bërë për këto veshje tani asnjë kanagjegj apo dasmë nuk bëhet pa veshje kombëtare dhe duhet falënderuar diasporën sepse ata më së shumti janë të interesuar”, thekson Orana-Zeneli.

Ndër veshjet më të kërkuara dallohen ato të Dukagjinit dhe e Rugovës, por gjithnjë e më shumë po rritet kërkesa edhe për xhubletën, një ndër veshjet më të hershme shqiptare, por njëherësh edhe ndër më të vjetrat në botë.

“Klientët kur kërkojnë mendimin tonë ne i ndihmojmë me përzgjedhjen e veshjes, na pyesin cilat janë më të preferuara dhe u tregojmë se cila është në trend, zakonisht kërkohet veshja e Medvegjës, dukagjinit, tek djemtë janë të zakonshëm kërkojnë jelekun e shokën. Për mua veshja e Medvegjës është e preferuara, por klientët më shumë e kërkojnë atë nga ana e Dukagjinit, e Rugovës, edhe Xhubletën e kërkojnë po ashtu shumë madje ne e kemi ripërtërirë dhe meqenëse është në UNESCO është mjaft e kërkuar”, shton Orana-Zeneli.

Ajo shpreh shqetësimin për ruajtjen e kësaj tradite në të ardhmen, gjë që sipas saj është përgjegjësi e prindërve.

“Kohëve të fundit mërgimtarët kanë qenë më të interesuar, por kohëve të fundit kanë nisur edhe vendësit tanë. Mërgimtarët zakonisht marrin dhurata nga këtu me simbole tona kombëtare u dërgojnë shokëve të huaj ose shefave të punëve, edhe gurët e Trepçës me mbishkrime janë shumë të kërkuara. Deri në këtë gjeneratë njerëzit tanë e duan traditën, ne i frikësohemi viteve në vijim për fëmijët se sa do t’i duan këto detaje por kjo varet nga prindërit se sa u kultivon fëmijëve traditën dhe dashurinë ndaj atdheut”, deklaron Orana-Zeneli.

Ajo ndalet edhe te moskrijimi  i qeverisë i cili sipas saj ka ndikuar negativisht edhe në sektorin e turizmit dhe, rrjedhimisht, edhe në biznesin e saj.

“Gjatë vitit presim vizitorë, kohëve të fundit kemi prit numër më të madh të vizitorëve por ka ndikuar ngërçi politik edhe nuk po na vijnë turistët e huaj. Kohëve të fundit kemi pas turistë nga Bosnja që nuk ka qenë e zakonshme më herët të kemi vizitor nga atje, kanë kureshtje për veshjet tona, na pyesin për secilin detaj, edhe nëse nuk e kanë pas plan për me ble kur dëgjojnë historinë e vendit pastaj ndryshojnë mendim dhe blejnë diçka si kujtim nga Kosova”, thotë Orana-Zeneli.

Veshjet kombëtare ofrohen edhe me qira dhe çmimet e tyre janë simbolike krahasuar me punën e madhe që kërkojnë, meqë secila prej tyre është punuar me dorë. 

“Puna e dorës nuk vlerësohet shumë, mundësia që neve na bënë të jem aktiv është se veshjet po ashtu kërkohen edhe me qira, çmimet nuk janë të shtrenjta më e lira është 5 euro çmimet janë të përballueshme për vendësit dhe mërgimtarët”, thekson Orana-Zeneli.

Sot, përdorimi i veshjeve kombëtare nuk është si dikur. Ato mbeten të pranishme në raste festash familjare apo në aktivitete shkollore ku fëmijët i veshin për ditët kombëtare.