SOT

Trajtimi dhe shkaqet e deformimeve të boshtit kurrizor

Janë disa ushtrime që bëhen për ta trajtuar deformitetin e boshtit kurrizor, që njihet si skolioza.

Për të arritur deri te diagnostikimi i kësaj sëmundjeje patologjike, duhet bërë një kontroll diagnostik.

Specialistja e mjekësisë fizikale, Valbona Krasniqi, për një kontroll të thjeshtë fillimisht e përdor skoliometrin, në mënyrë që fëmijët të mos u ekspozohen rezeve radiologjike.

E, me anë të këtij mjeti, vihet në pah prezenca e sëmundjes në boshtin kurrizor.

Shkallët dhe shkaktarët e skoliozës janë të ndryshme varësisht nga pacientët, sikundër edhe zona e boshtit kurrizor ku ajo shfaqet.

Përpos skoliozës, edhe kifoza e lordoza janë të njohura si deformitete të boshtit kurrizor.

Për të ardhur deri te zbulimi i hershëm, që vërtet është faktor që ndikon në shërimin ende më të shpejtë, ortopedi Nderim Salihaj thotë se duhet bërë kontrolle rutinore në mosha të hershme.

E, sipas Krasniqit, asnjëherë nuk ka një shkaktar të vetëm pse këto sëmundje shfaqen.

Mund të ndikojë bartja e çantës së rëndë, të mbathurat joadekuate, por nuk përjashtohen si shkaktarë edhe faktorët gjenetikë.

Secila nga këto sëmundje mund të shërohet nëse intervenimi bëhet para moshës 18-vjeçare.

E, pas moshës madhore, me anë te aktivitetit të rregullt fizik, dhimbjet mund të mënjanohen.

Rastet për ndërhyrje kirurgjike janë të rralla dhe aplikohen vetëm atëherë kur deformiteti është shumë i shprehur.

Si gjatë fëmijërisë, ashtu edhe gjatë moshës madhore, lëkundjet në peshë mund të ndikojnë jo për të mirë në boshtin kurrizor dhe ekstremitetet e trupit.