Në një vend krejtësisht të vogël dhe në një qytet krejt ndryshe nga ai në të cilin janë prodhuar shiten këto produkte me motive tradicionale. Shitësja në këtë tezgë e njëkohësisht edhe gruaja që i punoi shumicën prej tyre i solli ato nga qyteti i Shkodrës në Prishtinë.
Punime të ndryshme që burojnë nga kultura e vjetër shkodrane, me detaje të ndryshme tradicionale, që janë pjesë e kulturës shqiptare në përgjithësi, zunë vend në një hapësirë të vogël në sheshin “Zahir Pajaziti”, aty ku sezoni i verës bashkoi tregtarë nga zona të ndryshme shqiptare.
Edhe Kristina Ndoci është njëra nga tregtaret e shumta , e cila mundohet që produktet e saj, që i punoi vetë për një kohë të gjatë, t’i promovojë dhe t’i shesë këtu, në vendin ku është më së shumti i frekuentuar në Prishtinë.
Tash e disa vjet me radhë Ndoci e bën të njëjtën punë në Prishtinë dhe shkak për këtë u bë konkurrenca e madhe në qytetin e Shkodrës. Ajo e pohoi se Shkodra është një vend që ka jashtëzakonisht shumë gra të tilla, të cilat bëjnë punëdore si të sajat, dhe të gjitha kanë dëshirë që t’i shesin ato. Ajo ka gjetur vendin e saj pikërisht në Prishtinë dhe është vendosur këtu për të shitur produktet e ndryshme që ka në tezgë.
Institucionet në Kosovë, përgjegjëse për t’u marrë me tezgat e vendosura në sheshin “Zahir Pajaziti”, Ndoci thotë se gjithmonë kanë qenë mikpritëse për të. Se cilat janë procedurat me të cilat i është dashur të merrej ajo para se të vendosej nga Shkodra në Prishtinë, na tregon ajo.
Kjo verë duket se ka qenë e bujshme për tregtaret aty, e edhe për tregtaren shkodrane. Ajo pohon se largimi i pandemisë dhe ardhja e mërgimtarëve në vendin tonë ka bërë që këto produkte të ndryshme të shiten më shumë këtë verë.
Të punuara me shumë dashuri dhe punë, punimet na i prezanton vetë pronarja e tyre. Përveçqë ka produkte të punuara nga ajo, aty ka edhe produkte të miqve të saj nga qyteti i Shkodrës. Të gjitha nga Shkodra në Prishtinë.
Dashuria për punën nuk e lejon atë ta ndalë punën e dorës, e cila është e lodhshme për të pas kaq shumë vjetësh që merret me to. Ajo i punon me shumë pasion dhe dashuri, saqë nuk mund ta imagjinojë një ditë duke mos e bërë punën e saj të preferuar, punën e dorës. Shqetësimi i saj është se kjo punëdore kaq e dashur dhe e vyeshme për traditën shqiptare nuk do të punohet nga gjenerata e ardhshme.
Për Kristinën dhe produktet e saj, Prishtina është njëjtë si Shkodra. Shtëpia, puna, ngrohtësia.