SOT

Rrëfimi për shtëpitë shkolla vjen në libër nga Fadil Aliu

Në vitet e errëta të ’90-tave, kur arsimi shqiptar po goditej rëndë nga forcat serbe, shumë shtëpi u bënë vatra të arsimit për të rinjtë e asaj kohe.

Për shkak të rrezikut të humbjes së vitit shkollor, në janar të vitit 1992, Mehmet Aliu-Hertica hapi dyert duke kthyer këtë shtëpi në shkollë për nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”. Shembullin e njëjtë e ndoqën edhe familjarët e tjerë, duke u bërë kështu gjithsej 6 shtëpi të familjes Hertica që u kthyen në shkollë edhe për nxënësit e “Hoxhë Kadri Prishtina”, pasi këto dy shkolla refuzonin të pranonin planprogramet arsimore të Serbisë.

Gjithë historinë e kësaj periudhe, të rezistencës ndaj okupatorit serb, e ka përmbledh në librin “Shtëpitë- Shkolla”, djali i Mehmetit, Fadili i cili e mbanë shumë mirë në mend periudhën kur edhe vet ishte nxënës.

“Më kujtohet se ka qenë njëra prej periudhave më të vështirave sepse patëm protestuar gjatë para institucioneve arsimore me krejt nxënësit tjerë rreth 3 muaj e gjysmë dhe tek në janar ja patëm filluar mësimit në shtëpitë-shkolla. Unë vet kam qenë në shtëpinë e mixhës por me të vërtetë ka qenë e vështirë sepse shtëpitë janë të destinuara për banim jo për shkolla por u patëm gëzuar që më në fund filluar mësimin. Ka qenë një vullnet i jashtëzakonshëm, një vullnet për të mësuar dhe të studiojmë pikërisht për shkak të padrejtësive që na patën bë okupatori serbë në atë kohë dhe vetëm se ndezi inatin që të kemi më shumë suksese gjatë studimeve tona”, thekson Aliu.

Ai tregon për vështirësitë e shumta që janë përballur gjatë asaj kohe.

“Jemi përballur shumë me vështirësi, sidomos nxënësit tjerë e mësimdhënësit që vinin në shtëpitë tona për të mbajt mësim, i arrestonin dhe kur vinte ndonjë profesor tjetër të zëvendësuar dikë e dinim se nuk është i sëmurë por i ka ndodhur diçka gjatë kohës që ka ardhur për të mbajt mësimin. Shpeshherë i kanë kontrolluar ia kanë parë librat dhe i kanë arrestuar. Unë e kam pasur më së lehti prej dallim prej të tjerëve sepse si nxënës ta kem shkollimin  në oborrin e familjes tënde ka qenë më lehtë sepse s’ka qenë rreziku i asaj kohe të shkojmë deri te objekti shkollor. Mirëpo familja ime është përballë me skena të dhimbshme shpeshherë kur e kanë arrestuar babin në biseda informative e herë me maltretime e ajo për mua ka krijuar një dhimbje sepse këtë dhimbje e përjeton vetëm dikush që i maltretohet prindi”, shton Aliu.

Kjo inciativë u shndërruar në një iniciativë mbarë kombëtare thotë ai.

“Duke pasur parasysh që për çdo natë e diskutonim sa është e rëndësishme për vendin tonë kemi bërë çmos të kenë suksese nxënësit në shtëpitë tonë. 6 shtëpi tona kanë qenë të shndërruara në shkolla dhe e patëm marrë përsipër një barrë të madhe të iu qëndrojmë gati arsimtarëve e nxënësve dhe vetvetiu njeriu po e merrte atë përgjegjësi që u shndërruar në iniciativë mbarë kombëtare. Sot  e kemi lirinë falë atyre ditëve. Nëse nuk do të ishte ndërmarrë diçka të shndërroheshin shtëpitë në shkolla ne ishim detyruar të lëshojmë vendin të shkolloheshim por falë këtyre iniciativave u shkolluam”, deklaron Aliu.

Ky libër i promovua pikërisht në 34 vjetorin e fillimit të shpitve shkolla.

“Sot është promovimi i librit tim “Kujtomë të mos harrojmë”, koincident me 34 vjetorin e fillimit të shtëpitë-shkolla dhe të them të drejtën vitet po ecin shpejt dhe për të mos mbetur kjo histori në harresë vendosa të shkruaj këtë libër për kontributin e familjes sonë dhe pasqyrimin mediatik qysh e kanë pa mediat dhe akterët e ndryshëm të asaj kohe atë periudhë tepër të vështirë. Kam dashur të mbes diçka e shkruar sepse historia po harrohet dhe për këtë arsye nxënësit  tashëm mund të mësojnë më shumë. Do të shkruajmë edhe librin e dytë. Do të jetë përmbledhje faktesh çka kanë shkruar mediat e autorët tjerë për vitet e ’90, gjatë shkollimit tonë. Shumë personalite me pozita të larta në institucionet e vendit janë nxënës të shkollave të atëhershme”, thekson Aliu.

Këtë periudhë e kujton edhe ish-ministri i Diasporës, Valon Murati i cili si nxënës kishte përjetuar mësimin në këto shtëpitë-shkolla. 

“92-93 e kam kryer vitin e katër aty dhe krejt kjo përpjekje për të vazhduar mësimin në shtëpitë private tregon gatishmërinë për rezistencës sonë ndaj Serbisë për të mos na dëmtuar prej vendit. Një familje që ka ndihmuar edhe arsimtarët e nxënësit dhe ne kemi pasur edhe siguri për shkollat. Ka qenë një atmosferë e jashtëzakonshme, është prej shtëpive që i ka përngjarë më së shumti shkollave sepse ka pasur shumë klasë. Shumë nejrëz ndoshta e përqeshin periudhën e arsimit të atyre viteve por ne kemi pasur një përkushtim të jashtëzakonshëm edhe në mësim sepse e kemi konsideruar mësimin pjesë të rezistencës”, thekson Murati.

Sipas tij, është e patolerueshme se si nxënësit e tanishëm të gjimnazit “Sami Frashëri” nuk dinë se ekziston shtëpi-shkollë.

“Ajo që duhet të ndodhë sot është që kjo shtëpi të kthehet në muze dhe aty të shkojnë nxënësit nga gjithë Kosova për të parë një pjesë të rezistencës tonë. Ne nuk kemi ardhur rastësisht këtu por ka qenë rezistenca e njerëzve që e kanë sjellë këtu shtetin tonë. Kështu që ne duhet ta çmojmë e ta nderojmë. Është e patolerueshme që gjimnazi Sami Frashëri nuk i dërgon fëmijët atje dhe ata as që e dinë se ekziston ajo shkollë dhe nuk e dinë një pjesë të historisë të tyre dhe si po duamë ne të krijojmë traditë në arsim, në shtet e në rezistencë nëse ne nuk e njohim punën e paraardhësve tanë”, shton Murati.

Ndryshe, gjimnazi Sami Frashëri dhe shkolla “Hoxhë Kadri Prishtina” mbajtën mësimin e tyre në shtëpitë e familjes Hertica deri më 24 mars 1999, ditën kur NATO filloi bomabardimin në Kosovë.