Ajkë organike e sjellë nga fermat shqiptare, e përzier me miell misri, janë përbërësit e pjatës që po e paraqet kuzhinieri Përparim Laçi së bashku me të bijën Leonorën.
E njohur si mazë e zier, ky është një nga specialitetet tradicionale të zonës së Pukës, të cilën përzgjodhi ta paraqesë në “Prishtina Gastronomy Festival”, në kuadër të klasës së gatimit, që fillon nga ora 17:00 deri në orën 20:00.
Këtë pjatë e kanë shoqëruar më pas edhe me një recetë të veçantë ëmbëlsire e që gatuhet shpejt.
“Sot jemi në këtë festival me shumë kënaqësi, është një vlerë turistike, na pëlqeu ftesa. Kam ardhur me dy pjatat që janë më tradicionalet në Pukë. Është një mazë që quhet në gjuhën popullore, është një ajkë që përzihet me miellin e misrit dhe zihet derisa ajo ta nxjerrë të lymit përmbi. Dhe janë pufkat të cilat bëhet me qumësht dhe pak miell dhe bëhen për shërbim për 6-7 minuta. Janë dy gjëra të shpejta”, tha Përparim Laçi, gastronom nga Puka.
Janë këto dy nga shumë ushqimet tradicionale që ka zona veriore e Shqipërisë e të cilat pëlqehen jashtë mase nga turistët.
“Puka e ka gastronominë tradicionale të cilat janë organike, sepse bio është shumë e madh për të thënë, pra janë shumë afër bios, sepse janë nga fermat tona. Ka një fluks të madh të turistëve që po e pëlqejnë gastronominë tonë. Pavarësisht se dihet që gastronomia shqiptare është konkurruese në botë dhe tani po merremi me një punë të madhe për ta promovuar atë edhe jashtë vendit”, tha Laçi.
E organizime të tilla, gastronomi nga Puka thotë se, janë shumë të qëlluara.
“Këto organizime duhet të ketë shumë më shumë, vetëm përmes promovimeve njerëzit mund të kuptojnë se kush jemi ne. Çdo lloj qeverie që vjen duhet të mendojë për turizmin. Edhe Kosova, edhe Shqipëria janë vende turistike të jashtëzakonshme dhe me resurse. Resurset më të mëdha janë mikpritja dhe ushqimet tradicionale të papërpunuara që bota i kërkon ato dhe do të rikthehen tek ne pavarësisht që u kanë ikur atyre. Janë vlera që na tregojnë se nga kemi ardhur dhe nga shkojmë”, tha Laçi.
Përveç ushqimeve nga Shqipëria, në këtë festival u promovuan edhe ushqimet kosovare.
Përpeq me speca, pite baloshe, kuleç dhe pogaçe, janë ushqimet që ka përzgjedhur kuzhinierja Remzije Berisha nga fshati Prugovc i Prishtinës.
Të bëra po ashtu me produkte organike, ushqimet tradicionale që përzgjodhi i ka trashëguar nga nëna e saj.
“Sot kam vendosur të përgatis një ushqim tradicional që e kam trashëguar nga nëna, është përpeqi me speca dhe kuleç, një pite baloshe, pite me kungull. Pasi është sezoni i kungujve e kam përzgjedhur këtë. Po ashtu edhe një pogaçe”, tha Remzije Berisha, kuzhiniere nga Prishtina.
Përveç në Kosovë ushqimet shqiptare, thotë ajo, pëlqehen në masë të madhe edhe nga shtetasit e huaj.
“Ne e kemi mundësinë të krenohemi gjithkund, e kemi dërguar ushqimin nëpër organizata ndërkombëtare çdoherë aq shumë e kanë çmuar dhe në këtë takim ka qenë një prej Austrisë, aq shumë e ka çmuar”, tha Berisha.
E mbretëresha e tryezës ishte bakllavaja, të cilën e sollën dy kuzhinierë së bashku.
Me shumë pak përbërës, si: mielli, vezët, gjalpi dhe sheqeri, kjo ëmbëlsirë tradicionale me arra u shërbye në festival.
“Sot kemi me bo një prezantim të bakllavës. E kemi zgjedhur për shkak se konsumohet më shumë në Kosovë. E veçanta është se ka një brumë të thjeshtë, ka përbërës pak dhe del shumë e shijshme për ta ngrënë. Është e rëndësishme që ta shfaqim pjesën tonë tradicionale jo vetëm bakllavën, sa më shumë të bëjmë shfaqjen e ushqimeve tona është më mirë”, tha Arianit Hasanxhekaj, shef i një pastiçerie në Prishtinë.
Këto janë disa nga ushqimet të cilat u paraqiten në edicionin e dytë të Festivalit të Gastronomisë në Prishtinë, i cili ka për qëllim promovimin e kuzhinës shqiptare.
“Ideja ka qenë promovimi i gastronomisë shqiptare, njëfarë forme për të promovuar traditën e ushqimit përmes produkteve tona. Pra, përmes gastronomisë qëllimi kryesor është edhe furnizimi që shtëpizat këtu të mund të bëjnë promovimin e produkteve të tyre. Për shkak të pandemisë ajo nuk është mbajtur disa vjet, ndërsa tani është organizuar për të dytën herë”, tha Bardha Smajli, koordinatore e “Prishtina Gastronomy Festival”.
Koordinatorja e këtij festivali, Bardha Smajli, thotë se përveç kuzhinës shqiptare këtë vit kanë përzgjedhur edhe dy vende të huaja.
“Fillon në ora 17 me klasat e gatimit, ku kuzhinierët tanë që i kemi përzgjedhur nga të gjitha trevat shqiptare do të vijnë dhe t’i demonstrojnë ushqimet e tyre që janë simbolike të trevave tona dhe që më shpesh i përgatisin. Ndërsa programi i muzikës fillon në orën 20 deri në orën 23. Këtë edicion kemi përzgjedhur edhe kuzhina të huaja. Janë nga Turqia dhe Italia, që këtë edicion kemi përzgjedhur që edhe ata të jenë pjesë e këtij festivali”, tha Smajli.
Gjatë këtyre netëve ka pasur edhe performanca të artistëve të ndryshëm si të muzikës rock dhe asaj qytetare. Merita Halili, Aurela Gace, Eli Fara, “Fisnikët”, “Jericho”, “String String”, janë disa nga artistët që ndezën atmosferën gjatë mbajtjes së këtij festivali.