Më parë mund të ketë qenë një profesion burrash, të cilët zanatin e kanë përcjellë te pasardhësit ndër vite.
Por tash, vërehet dukshëm interesimi i vajzave dhe grave për të mësuar punën me filigran.
Cihan Tatar Tocilla, është njëra nga të interesuarat që t’i përkushtohet këtij zanati. Me një fije të hollë teli do të ketë mundësi që të krijojë sipas imagjinatës së saj, por paraprakisht po i nënshtrohet një kursi 8-mujor.
Njësoj si Cihan, edhe Zana Haxhibeqiri ardhmërinë e saj mund ta ndërtojë si një artiste filigrani. Andaj po synon të bëjë diçka unike.
Ky kurs prej 8 muajve po mbështetet nga Komuna e Prizrenit, ndërsa zejtarë të vjetër të qytetit do të ndajnë me të rinjtë përvojat e tyre.
Kjo mundësi për t’i kaluar njohuritë e tyre te të rinjtë, i ka bërë nostalgjikë ata që pjesën më të madhe të jetës ia kushtuan këtij arti delikat. Filluan në një moshë të re dhe synojnë të mos e braktisin asnjëherë.
Këta mjeshtër edhe këtë vit u bashkuan dhe qëllimi i tyre është më me vlerë se çdo gjë tjetër. Zanati që ata e morën dikur nga dikush, ka ardhur koha ta bartin tuje.
Kështu synojnë që ta ngrenë dhe zhvillojnë një art, i cili është në rrezik nga prodhimet industriale, njëkohësisht shumë i rëndësishëm dhe me vlerë.
Kjo mundësi e ofruar për 22 kursistë mund të sjellë punime të bukura e të veçanta, që bartin elemente tradicionale të qytetit historik.
Prizreni, brenda tij ka disa dyqane ku përpunohet dhe shitet filigrani, e që shpesh janë ndalesë për turistët që duan të marrin pak nga tradita e vendit.