Njihen si “Bjeshkët e Nemuna” dhe kanë shtirje në territorin e Alpeve Lindore shqiptare dhe Malit të Sharrit.
Gojëdhënat rrëfejnë për një nënë, e cila ishte nisur me dy djemtë e saj për të kaluar nëpër këto bjeshkë.
Terreni vështirë i kalueshëm dhe mungesa e ujit bënë që nëna, sipas gojëdhënës, t’i mallkojë bjeshkët.
E, historianët tregojnë një mit tjetër që lidhet Mujën dhe Halilin.
“Sa i përket emrit që i ka mbetë Bjeshkët e Nemuna janë; sipas një variante lidhjet me epokën e kreshnikëve në epokën e Mujës dhe Halilit ku thuhet që dikur në këto bjeshkë është vra Sokoli dhe si rezultat i dhimbjes, janë mallkuar këto bjeshkë”, tregon historiani Selim Lokaj.
Ai shkon më tej duke specifikuar kulturën, traditat dhe trashëgiminë e këtij vendi.
“Është një monument me një rëndësi të madhe nga aspekti historik. Nga shpellat, malet”, tha Lokaj.
Ndërsa, Qazim Kukalaj, njohës i natyrës, ka një shpjegim tjetër në lidhje me emërtimin e Bjeshkëve të Nemuna. Sipas tij, ky emër e ka rrjedhën nga struktura e peizazhit të këtyre bjeshkëve.
“Nuk dihet saktë tradita historike e këtij emri edhe pse ka gojëdhëna të ndryshme, por që të gjitha lidhen me natyrën e veçantë e terrenit të tyre. Ndër më të pranuarat është ajo se: banorët e zonës janë marrë kryesisht me bujqësi dhe blegtori, ndërsa bagëtinë i kanë kullotur në këto bjeshkë. Duke parë ashpërsinë e terrenit, klimën e vështirë si dhe rreziqet e shumta për ta dhe bagëtinë nga grabitqarët si: ujku, ariu, rrëqebulli etj. barinjtë i kanë mallkuar dhe quajtur “Bjeshkë të Nemuna””, tregon Kukalaj.
Sipas Kukalajt, flora e Bjeshkëve të Nemuna është tejet e pasur dhe si e tillë, duhet ruajtur.
“Bjeshkët e Nemuna karakterizohen me diversitet floristik të jashtëzakonshëm dhe paraqesin një nga qendrat floristike të Ballkanit, sidomos në aspektin e endmizmit floristik. Flora vaskulare e tyre në pjesën e Kosovës përbëhet prej 1,611 taksoneve (lloje dhe nënlloje):435 gjini, 105 familje, 50 rende dhe 6 klasë. Sipas të dhënave në majat e larta të Bjeshkëve të Nemuna si Gjeravica, Bjeshkët e Lumëbardhit në Gurin e Verdhë, Koprivnik, Neqinat gjenden 255 lloje dhe nënlloje endemike të Ballkanit. Nga flora e Bjeshkëve të Nemuna, 19 taksone bimore janë futur në Listën e Kuqe të Bimëve të Kërcënuara (IUCN, 1997)”, thotë ai.
Ai specifikon llojet endemike të bimëve dhe të faunës që gjenden brenda Bjeshkëve të Nemuna.
“Llojet e bimëve endemike në këto bjeshkë janë: Burgulli i Koshaninit, Cefalaria e Pashtrikut, Arrithja e Fialit, Akoniti i Rusolisë, Manaferra e Pejës, Iriqëza e Sharrit, Vulfenia e Bleçiqit, Kokoçeli, Tsalpi, Listra e Rohleries”. Në territorin e Bjeshkëve të Nemuna mund të gjenden lloje të gjitarëve dhe shpendëve e që janë mjaftë të rrallë për rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Shumë prej tyre janë lloje relikte, endemike, të kërcënuara nga zhdukja dhe për këtë arsye gjenden në listat ndërkombëtare të mbrojtjes. Fauna e Bjeshkëve të Nemuna përbëhet prej: 8 lloje të peshqve, 13 lloje ujë tokësorë, 10 lloje rrëshqitës, 148 lloje shpendësh, 37 lloje gjitarësh. Në Bjeshkët e Nemuna jetojnë edhe 129 lloje fluturash nga rendi Lepidoptera”, thotë Kukalaj.
Resurse tjera, si pamjet e bukura, terreni i veçantë e ajri i pastër i bëjnë Bjeshkët e Nemuna shumë atraktive për turizëm, ndërsa më shumë detaje na tregon Adem Lushaj, njohës i turizmit. Sipas tij, në këtë pjesë turizmi është mjaft i zhvilluar, por pengesa kryesore qëndron te parregullsitë me infrastrukturën.
“Kemi resurse që e zhvillojnë turizmin, por pengesa kryesore është infrastruktura rrugore në këto male. Edhe politika e ka penguar shumë turizmin në ketë anë”, tha ai.
Në po këto bjeshkë, së fundi, Halil Ibrahimi me profesion entomolog ka zbuluar një lloj insekti të quajtur “Potamophylax coronavirus”.
“Bjeshkët e Nemuna njihen si njëra ndër pasuritë më të mëdha pyllore në Ballkan. Fatkeqësisht, sa i përket hulumtimeve të insekteve, këto kanë qenë të pakta në Bjeshkët e Nemuna. Në Bjeshkët e Nemuna ka shumë lloje të rralla të insekteve, të cilat shpeshherë kanë një përhapje aq të ngushtë dhe fatkeqësisht janë shumë të rrezikuara. Njëri prej llojeve të rralla të insekteve që e gjetëm është lloj i ri për shkencën, i cili quhet ‘Potamophylax coronavirus’ për arsye se ky lloj u zbulua në kohë pandemie”, tha Ibrahimi.
Ndër të tjera, Ibrahimi thotë se në Kosovë ka shumë vende ku ka nevojë për hulumtime të thella.
Gojëdhënat flasin se Bjeshkët e Nemuna i ka mallkuar dikush apo natyra i ka krijuar si të tilla, por deri më tani ende nuk është gjetur një definicion i saktë që përcakton prejardhjen e këtij emri. Megjithatë, peizazhet që ofron janë tejet tërheqëse për vizitorët.