Biologu kosovar zbulon edhe një insekt në Sharr
“Potamophylax humoinsapien” është insekti i fundit i zbuluar në Bjeshkët e Sharrit.
Atë e ka gjetur profesori i biologjisë, Halil Ibrahimi në vitin 2015, derisa u miratua këtë janar. Në emisionin “Sot” ka treguar se si hulumtoi.
“Ky hulumtim ka nisur para disa vitesh. Diku më 2015-16, por deri sa ka ardhur te finalizimi i hulumtimit u deshën disa vite. Janë përfshirë në analizë krahasimi me lloje të tjera të përafërta, mandej analizat molekulare e kemi ardhur deri në këtë vit kur është botuar punimi në një revistë prestigjioze ndërkombëtar që boton punime me lloje të reja për shkencën dhe biodiversitein në përgjithësi”, ka thënë ai.
Por ky nuk është zbulimi i parë.
Profesor Ibrahimi pati marrë vëmendjen e botës në pandemi kur zbuloi insektin “Potamamophylax Coronavirus” në bjeshkët e Deçanit.
Duke marrë parasysh se ky insekt po rritet vetëm në këtë zonë, Ibrahimi ka kërkuar nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm ndaj natyrës, e të mos e ndotin atë, për shkak se rrezikon zhdukjen e insektit.
Biologu gjithashtu ka treguar ndjesinë e veçantë që ka, kurdo që zbulon një insekt të ri.
Profesori kosovar ka thënë se është i fokusuar më shumë tek insektet ujore, për shkak të funksionit që ato kanë në natyrë.
“E një ndër ndjesitë e veçanta gjatë zbulimit të një insekti, është edhe emërtimi”, ka thënë ai.
Edhe ky insekt si shumë të tjerë, ka një kuptim mbrapa emrit të vet.
“Këtë lloj kemi vendosur ta quajmë ‘humoinsapien’ në latinisht, që vjen nga dy fjalë ‘humo’ që do të thotë të varrosësh, të mbulosh dhe ‘insapien’ që do të thotë veprim i pamençur. Kemi dashur ta ndërlidhim gjendjen e këtij lloji ku po thuajse këto po varrosen nga veprimet e pamençura të njerëzve, nga ndërtimet në lumenj, hidrocentralet, prerja e pyjeve, ndotja e tjerë”, ka thënë ai.
Fusha që Ibrahimi studion është njëra nga fushat e insekteve që nuk është studiuar shumë thellë, e kjo është edhe një nga arsyet që e nxiti Ibrahimin të merret me të.
Ibrahimi ka thënë se pret që zbulimet e tij të marrin pjesë në kurrikulën shkollore. Ai ka treguar se më lehtë është të studiohet për krijesa që i kemi në vend, sesa për ato që jetojnë në shtete tjera.
E përkrahja nga institutet shtetërore, Ibrahimi ka thënë se pret që herëve të tjera të jetë më e madhe.
Ai tani zbulimet e veta dhe diturinë po i ndan me studentët e kësaj fushe në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëron si profesor i biologjisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.