Vaksinimi, përkujdesja e përkushtimi janë vetëm disa nga obligimet që nevojiten për mbajtjen e një kafshe shtëpiake. E nga nëntori i vitit të kaluar për herë të parë ka filluar projekti i identifikimit dhe regjistrimit të qenve. Është shtuar një obligim i ri ndaj pronarëve të kafshëve dhe qëllim ka mirëqenien e tyre.
“Projekti i identifikimit dhe regjistrimit të qenve me pronarë, një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për arsye se po zhvillohet për herë të parë në vendin tonë, është një projekt që i paraprin pak a shumë parandalimit të shumimit të qenve endacakë, për arsye se e dimë që një nga burimet kryesore ndaj shumimit të qenve endacakë në vendin tonë janë qentë me pronarë”, ka thënë Sadik Heta nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Heta këtë projekt e ka konsideruar mjaft të suksesshëm deri më tani.
“Deri më tani janë regjistruar rreth 3.000 qen, fillimisht deri para vitit të ri kemi pasur 8 komuna si pilotë, pastaj duke u shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës. Pjesë e këtij projekti përveç identifikimit dhe regjistrimit me mikroçip janë edhe vaksinimet ndaj sëmundjes së tërbimit, është edhe kastrimi dhe sterilizimi, i cili nuk është në formë obliguese, por vullnetarisht, si dhe eutanazia në rastet kur një pronar e ka qenin e sëmurë apo agresiv”, ka thënë ai.
Projekti për identifikimin dhe regjistrimin e qenve po i përfshin vetëm qentë me pronarë e jo ata endacakë. I tëri ky proces po kryhet pa para. Do të zgjasë 1 vit.
Heta ka thënë se është e obligueshme për të gjithë pronarët që të regjistrojnë qentë e tyre, për shkak të humbjes së qenit ai do mund të gjendej më lehtë dhe do të dihej historiku i tij.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari tashmë veçse ka filluar fushatën vetëdijesuese ndaj regjistrimit të qenve. Pjesë e planit është edhe regjistrimi nëpër shtëpitë e pronarëve nëse ata nuk mund t’i vizitojnë ambulancat veterinare.
Gjobat janë dhe do të shqyrtohen për të gjithë ata që nuk e regjistrojnë kafshën e tyre.
“Ligji për përkujdesje ndaj kafshëve, Ligji i veterinarisë, aktet nënligjore në fuqi i parashohin sanksionet. Çdo pronar që nuk e ka qenin të regjistruar do të dënohet në të ardhmen nëse zihet në rrugë me qenin e tij që nuk është i regjistruar. Janë dënimet bazuar në Ligjin për kundërvajtje dhe gjobat do të jenë goxha të mëdha”, ka thënë Heta.
Regjistrimin e qenve e ka kërkuar edhe Elza Ramadani, drejtoreshë e “Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve”.
“‘Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve’ merret me mbrojtjen ligjore dhe mirëqenien e kafshëve në Kosovë. Përveç kësaj, organizata jonë e ka për synim t’u qëndrojë afër institucioneve të vendit që e kanë për mandat dhe përgjegjësi mirëqenien e kafshëve. Organizata jonë qëndron afër edhe për mbështetje, këshilla dhe kritika ndaj institucioneve të vendit për t’i zbatuar ligjet që janë në fuqi. Regjistrimi i qenve me pronarë është njëra prej masave themelore të menaxhimit të popullsisë së qenve. Ne e dimë që qentë endacakë vijnë nga familje që dikur i kanë mbajtur, po lirohen në rrugë, shumë prej tyre blihen pa kurrfarë gjurmimi institucional, shumohen mes vete ose importohen edhe prej vendeve fqinje pa asnjë strukturë shtetërore. Për këto arsye shumë qen po lirohen nga pronarët se po bëhet e papërballueshme për ta”, ka thënë Ramadani.
Ramadani e ka konsideruar shumë të rëndësishme të regjistrohen qentë dhe të ndëshkohen pronarët nëse nuk e kryejnë këtë obligim.
“Të gjitha këto masa janë në fillim, ku ende nuk mund të shihet rezultati brenda 1 muaji apo 1 viti, por gjithsesi nëse vazhdohet me këto masa, do shtohen edhe masa të tjera si ato të shumimit, importit dhe shitjes së qenve. Shteti do të mund ta ketë një strukturë të mirë dhe gjurmim të mirëfilltë të qenve ku pastaj mund të bëjë plane edhe për një strehimore të mirëfilltë”, ka deklaruar ajo.
Një ndër veterinarët që po kryen procesin e regjistrimit është Dardan Pozhegu, i cili ka treguar benefitet e regjistrimit si për qenin ashtu edhe për pronarin.
“Çdo qen apo çdo kafshë tjetër që mbahet nga një pronar duhet të ketë një identitet”, ka thënë ai.
Pozhegu ka thënë se humbja e kafshës për shumë herë nuk do të tolerohet nëse kafsha gjendet.
“Përgjigjja ndaj humbjes së një kafshe nga veterinari apo edhe prej Agjencisë së Veterinës nuk do të jetë e tolerueshme të ndodhë shumë herë. Herën e parë pronari mund të gabojë, mirëpo nëse kjo përsëritet ai apo ajo rrezikon të gjobitet”, ka thënë Pozhegu.
E regjistrimi dhe identifikimi i qenit, sipas Pozhegut, është një proces shumë i lehtë.
“Kam identitet, kam familje, kam siguri”, është njëra ndër thëniet e posterëve që AUVK po e shpërndan gjatë fushatës vetdijesuese.
Nëse keni qen dhe dëshironi ta regjistroni atë, ju mund të vizitoni mjekun veterinar më të afërt për udhëzime apo të drejtoheni në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.
Deri më tani në nivel vendi janë regjistruar 3 mijë qen shtëpiakë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.