Prishtina ka qenë kryeqendër e festës se Krishtlindjes këtë vit. Kjo, pasi që pranë katedrales “Nënë Tereza” u vendos edhe tregu i fundvitit.
Kur shënoi ora 23:30, të gjithë u mblodhën brenda Katedrales për të filluar me programin e festës.
Të rinj e të moshuar ishin prezentë për të festuar së bashku natën e Krishtlindjes.
Interesi i qytetarëve ishte mjaft i madh, ku shumica prej tyre pritën në këmbë gjatë këtij manifestimi. Shumë emra të njohur ishin pjesë e meshës së shenjtë, e një ndër ta edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Programi filloi me korin e fëmijëve së Famullisë së Prishtinës.
Çka e bëri këtë natë speciale për këtë vit, ishte pika e dytë e programit, ku u performua koriodrama “Gonxhja e Bekuar” nga ansambli “Bajram Curri”, me motive shqiptare, diçka që nuk ishte performuar më parë.
Pikat e tjera ishin këngë klasike e krishtere të kënduara nga sopranoja Besa Llugiqi.
Me të shënuar ora 24:00, filloi mesha e shenjtë me kremtues Dodë Gjergjin. Në Katedrale u ndoqën ritualet fetare ku dhe u bë mbyllja e Meshës. Me mbyllje të manifestimit, besimtarët e krishterë uruan njëri tjetrin për festën.
Dodë Gjergji kishte edhe një mesazh për popullin.
“Krishtlindja është festë e paqes dhe dashurisë, festë e gëzimit dhe haresë, festë e shpresës dhe lumturisë” tha Dodë Gjergji. Në përfundim, ai iu drejtua besimtarëve të krishterë se do të lutet për ta, posaçërisht për njerëzit në nevojë, e për ata që nuk kanë. Ai gjithashtu ceku edhe luftërat, ku i cilësoi ato si shkatërrim i njerëzimit, nxitje e urrejtjes e konflikt që po e rrezikojnë paqen nëpër botë.
Dodë Gjergji lut popullin të jetë sa më bujar, i dashur e të ketë paqe.
Pas përfundimit, të gjithë u ftuan të marrin pjesë në Tregun e Krishtlindjes, për venë të nxehtë, por mbi të gjitha të festojnë së bashku e të familjarizohen.
Natën e Krishtlindjes ishin të shumtë qytetarët e krishterë që festuan para dhe pas meshës bashkë me shumë qytetarë të përkatësive të tjera fetare.
Përveç në Prishtinë, festa e Krishtlindjes u festua edhe në shumë vende të tjera, si në Pjetërshan të Gjakovës, ku presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte prezente.