Po shkojmë në Prizren. Dita botërore e personave me aftësi të kufizuara u shënua me aktivitete në shkollën fillore “Lekë Dukagjini” të premten. “Ulu në shilten time” është aktiviteti që i bëri që krerët institucionalë të Prizrenit të ndajnë kohë bashkë me nxënësit me nevoja të veçanta.
Dita ndërkombëtare për persona me aftësi të kufizuara në shkollën “Lekë Dukagjini” në Prizren u shënua me aktivitete të ndryshme. Krerët institucionalë të Prizrenit patën rastin të ulen bashkë me këta nxënës, dhe të lexojnë mes rreshtash atë se çfarë mund të bëjnë ata.
Ideja e aktivitetit me muzikë, film dhe lexim u nis me qëllimin për të vendosur në pah atë se për çfarë janë të aftë këta nxënës.
Për shkollën, aktivitetet me nxënës me aftësi të kufizuara që janë gjithsej 28, janë një vlerë e shtuar.
Drejtoresha e arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj, aktivitetin e shkollës “Lekë Dukagjini” e sheh si shembull në fushën të cilën e drejton.
Midis shumë të pranishmëve nga institucionet e ndryshme, nxënësit dhe mësimdhënësit, këtë ditë e kremtoi edhe Egzona. Ajo është asambliste në Kuvendin Komunal në Prizren, e vetmja asambliste në Kosovë me aftësi të kufizuara gjithashtu. E nisur nga ajo se si u zhvillua vetë ndër vite, në mendje me vështirësitë që hasi gjatë rrugëtimit, mesazhi i saj buron nga zemra.
Dita ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuara shënohet çdo vit më 3 dhjetor. Tema e këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara është: “Zgjidhjet transformuese për zhvillim gjithëpërfshirës: roli i inovacionit në nxitjen e një bote të aksesueshme dhe të drejtë”.