SOT

“Ju flet Kosova e lirë”- rrëfimi për zërin që motivonte ushtarët

Ky zë ka jehuar në kohë lufte nëpër tërë Kosovën nga malet e Berishës së Malishevës.

Zëri i Nusret Pllanës, moderatorit të lajmeve në radion ‘Ju flet Kosova e Lirë’, ka depërtuar në çdo shtëpi nga 4 janari deri më 21 qershor të vitit 1999, kur Kosovë ishte në luftë.

Pllana tregon se si u bë zëri më i dëgjuar në kohë lufte.

“Unë si ushtar i ‘Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’, kam ardhur nga zona operative e Dukagjinit që t’i ndihmoj shtabit të përgjithshëm të UÇK-së si përgjegjës i financave. Pastaj shtabi ushtarak vendosi që unë të jem pjesë e radios. Në Radio unë kam qenë folës, zgjedhës muzike dhe redaktor. Më 27 mars këtë shtëpi e sulmuan serbët dhe ne vetëm edhe më 28 mars i kemi transmetuar lajmet në hapësirë të hapur dhe kemi ndërtuar bunkerin”, tha ai.

Me nostalgji ecë nëpër rrugën në të cilën gjatë luftës për çdo ditë shkonte në bunkerin prej ku i drejtohej popullit.

“Kjo rrugë më ngrit nostalgji sepse për tre muaj rresht pasi na bombarduan selinë kryesore të Radios jemi detyruar të ndërrojmë lokacion e të vendosemi në majën e Pallanikut, kjo rrugë atë kohë ka qenë e vështirë për ecje. Në këtë rrugë tekniken e radios e kemi bartur çdo ditë nga shtëpia kryesore që e kem pasur deri te bunkeri ku i kemi dhënë lajmet çdo ditë”.

Ekipit ju deshën 1 javë kohë që të krijonin stacionin mobil në bunker. Kjo ishte periudhë në të cilën frekuencat e radios mbetën pa informata.

“Kur u bombarduam ne, në fakt të gjitha televizionet serbe ishin bombarduar nga NATO. Radio Kosova ka qenë e lirë dhe është dëgjuar në trojet tona etnike, dhe nga 8 prilli kur e kemi filluar transmetimin, sepse e kemi pasur një pauzë të shkurtet vetëm 1 javë. 8 anëtarët e radios me ndihmën e banorëve të fshatit dhe trupat ushtarake e kemi ndërtuar ketë bunker për 7 ditë e 7 net. Nga 8 prilli deri më 21 qershor në vitin 1999 nga ky vend ne i kemi dhënë lajmet tona nga ora 16:00 të cilat kanë zgjatur nga 15 minuta deri në 50 minuta”, shtoi tutje.

Armiku e dinte mirë vendndodhjen thotë moderatori sipas të cilit përkundër rrezikut të gjithë vazhduan punën në informim.

“Vetën 1 minutë vonesë e kemi pasur gjatë 6 muajve transmetim të lajmeve. Si ekip kemi qenë shumë të kujdesshëm, të motivuar, të përkushtuar, të vdesim të gjithë por në asnjë mënyrë ketë teknik dhe ketë radio të mos e lëmë në duart e armikut. Frikën e kemi pasur çdo ditë nga armiku pasi që ata e kanë ditur se ku ndodhemi në bazë të teknologjisë të cilën e kanë pasur, gjatë sulmeve është vrarë Elbasan Berisha banor i fshatit Berishë, i cili ishte vetëm 14-vjeçar dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë. Qëllimi i armikut ka qenë ta shkatërrojë selinë e radios dhe ekipin tonë. Por për fat të mirë e gjithë ekipi e radios është gjallë dhe janë heronj”.

Nga ky bunker nuk informohej vetëm Kosova.

Nga këtu, Nusret Pllana dërgonte lajme edhe në NATO.

“24 orë kemi qenë të lidhur me NATO-n në Bruksel, kemi pasur telefona ajrorë dhe në çdo zonë kemi pasur 1 ose 2 reporter të cilët kanë bartur informacionet në radio. Agjencitë meditative më të mëdha në botë i kanë besuar radios dhe çdo herë kemi pasur kontakte me këto media ndërkombëtare se çfarë po ndodh me luftën e Kosovës, kjo na lë të kuptojmë se kjo radio ka qenë serioze dhe ekipi ynë ka qenë ushtar me plot kuptimin e fjalës”, bëri të ditur ai.

Radio ndër të tjera kishte qëllim të motivonte ushtarët e UÇK-së.

“Programet e ‘Radios Kosova e Lirë’ kanë qenë të vetmet e një radio së luftës, burimet e dorës së parë i kemi pasur ne, nga informimi jonë janë motivuar ushtarët tanë si dhe çdo gjë që ka ndodhur në luftë e gjithë popullata është informuar. Radioja për të gjithë ka qenë ushqim”.

Por bunkeri sot nuk është pjesë e monumenteve që tregojnë mbijetesën e luftën e popullit. Sipas Pllanës, është harruar nga institucionet.

vjen shumë keq për gjendjen aktuale të bunkerit sepse kjo nënkupton se ne shqiptarët harresën e kemi defekt gjenetik. Në këtë gjendje kaq të mjerueshme me mbet ky vend historik, kjo krenari e kombit tonë është e dhimbshme, të vjen të qash se kanë kaluar 24 dhe nuk është rregulluar asgjë. Kjo duhet të jetë pikë strategjike për turistët si dhe për gjeneratat e reja që ta mësojnë të kaluarën e vendit të tyre”.

Vizitat për punën e radios bëhen në stacionin e parë, në shtëpinë e Riza Berishës.

“Ishte 4 janari i vitit 1998, një kërkesë erdhi nga shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me Martin Çuni dhe Nusret Pllanet me të cilët u takova për herë të parë. Kërkesa e tyre ishte të vendosin radion ‘Kosova e Lirë’ dhe agjencinë i lajmeve ‘KosovaPress’. Unë me kënaqësi e prita dhe që nga ai moment i hapa dyert për mediat. Më 4 janar në vitin 1999 për herë të parë e shfaqëm emisionin ‘Ju flet Kosova e Lirë’. Edhe përkundër ftohtit dhe luftës, me motivin që kishim nuk u ndalëm asnjëherë”, u shpreh Berisha.

“Shtëpia muze është ndërtuar disa vjet pas lufte dhe unë si përgjegjës i shtëpisë muze mund të them se e gjithë teknika që e kemi pasur kohën e luftës është e ruajtur. Po ashtu kemi shumë vizitor vendorë dhe ndërkombëtarë”, shtoi ai.

Nusret Pllana është 63-vjeçar, babai i dy vajzave, Teutës dhe Rinesës. Që nga paslufta, ai është ligjërues në Universitetin e Prishtinës si dhe ka 14 libra të botuar kryesisht për luftën në Kosovë.