SOT

Salsa e bachata, pjesë e jetës së shumë të rinjve

Lëvizjet e ndryshme, herë të kontrolluara e herë të lira, i bashkojnë në një sallë shumë të rinj. Teksa ekzekutojnë këto lëvizje, në fizikun e tyre gërshetohet buzëqeshja dhe duket sikur muzika dhe vallëzimi u ka lindur përbrenda.

Salla, e cila duket një hapësire bosh, ndërron kur brenda saj bashkohen të gjithë që e kanë pasion vallëzimin. Mbizotëron energjia.

Bashkëveprimi mes valltareve fillon nga duart e sytë, për të vazhduar deri te lëvizjet që instinktivisht janë mësuar të kombinohen. Kështu, bashkë vajza dhe djem të rinj, janë bërë pjesë e shkollës së vallëzimit për të qenë më afër se kurrë me njëri-tjetrin, dhe për të realizuar në praktikë atë që u jeton në zemër, të vallëzojnë.

Dukuri kjo që kohë pas kohe po shkon duke u rritur.

Salsa, bachata, rumba, vals, kizoma, cha-cha, janë vetëm disa nga vallëzime për të cilat aftësohen të gjithë ata që zgjedhin të perfeksionohen në shkollën “Love and dance Prishtina”. Përveç aftësimit në vallëzime nga ana estetike, të kesh pjesë të rutinës ushtrimin e vallëzimeve të siguron edhe shëndet të mirë.

E në mesin e grupit, ka edhe të tillë që kanë pasur dyshime për t’u bërë pjesë e grupit, dhe tash punojnë në rolin e instruktorit të vallëzimit. E tillë është historia e Lekë Demjaha që ndryshoi mendje për dy ditë ushtrime.

Duke qenë me ta dhe afër tyre dikur si nxënës e tash si instruktorë vallëzimi, ai tregoi se interesimi po rritet dhe puna e tyre po vlerësohet.

Gjatë lëvizjeve dhe ushtrimeve, të gjithë ata reflektojnë dashurinë dhe pasionin që kanë në këtë sferë, që tashmë është bërë pjesë e jetës së tyre. Këtë dashuri, ata mundohen të shprehin edhe me fjalë.

Kështu, ekipi i “Love and dance Prishtina” i përbërë nga instruktorët dhe valltarët, janë optimistë për arritjet e tyre. Aktiviteti i tyre nuk përfundon në këtë sallë, por shkon tutje në festivalet e vendeve të ndryshme, në bashkëpunime me Shqipërinë, Turqinë dhe Francën.