SOT

Dy shokët që gatuajnë në furgonin me të cilin udhëtojnë

Hysen Berisha dhe Xhevdet Emini janë dy shokë prizrenas që përmes aktiviteteve po promovojnë Kosovën si destinacion turistik.

Udhëtimet e tyre nëpër bjeshkët e Sharrit kanë bërë që të kthehet vëmendja te turizmi malor në këto anë.

Përgatitja e ushqimeve tradicionale në bjeshkë po i bën më të veçanta shëtitjet e tyre malore.

Atë që e nisën prej vitesh, që në çdo vikend të dalin për shëtitje nëpër bjeshkë, po pëlqehet tek audienca, e cila i përcjell në rrjetet sociale dhe kanalin e tyre Youtube.

Berisha tregon aventurat nga shëtitjet malore.

“Ne edhe pse kemi profesione të ndryshme, në fundjavë gjithmonë dalim në natyrë për shëtitje. Para se të dalim në shëtitje planifikojmë se cilin vend do ta vizitojmë e po ashtu edhe çfarë recete kemi me e përgatitë. Si fillim për qëllim kemi ta promovojmë vendin tonë e pastaj edhe më gjerë. Zakonisht në orën 8:00 nisemi me makinë për te destinacioni ynë, për të shijuar natyrën dhe për të bërë recetën, e cila mund të jetë e lehtë apo e vështirë në përgatitje. Kemi pasur rast që kemi qëndruar deri vonë nëpër male, shpeshherë mblidhemi me më shumë shokë”, tha Berisha.

Ai tregon për recetat që i përgatisin në male.

“Aktualisht jemi duke i përgatitur recetat e vendit sikurse fli, petullat e Sharrit, gullashin, fasulen tradicionale të dy e gatuajmë, pra gjithçka bëjmë bashkë dhe nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë për të vizituar me shumë vende të bukura për ta promovuar më shumë Kosovën”. “Enët të cilat na duhen për përgatitje gjithmonë i kemi në veturë, nuk i largojmë asnjëherë, ato janë pjesë e veturës. Karakteristike janë, sepse janë nga dheu dhe tradicionale. Ujin duhet me marrë me vete, sepse ka bjeshkë që nuk kanë burim të ujit”, shtoi ai.

Kënaqësitë e tyre të cilat i përjetojnë i shfaqin përmes videove gjatë përgatitjeve të ndonjë recete, ka thënë Xhevdet Emini.

“Ne zakonisht vetë kemi dalë në mal dhe duke pa kënaqësinë që po e përjetojmë morën iniciativën që me e shfaqë edhe te të tjerët. Si pikë kryesore ka qenë edhe promovimi i bjeshkëve tona, duke ia filluar nga bjeshkët e Sharrit, të cilat pak janë promovuar në vend dhe jashtë kufijve. Zakonisht vijmë nëpër malet e Sharrit, ku shpeshherë na bashkëngjiten edhe 8 shokët dhe kalojmë mirë”, pohoi Emini.

E nisën të vetëm, por tani kanë arritur të mbledhin shokë, si dhe kanë marrë oferta edhe nga të huajt për t’iu bashkangjitur në këto aventura.

“Na kur vijmë në malet e Sharrit shumë persona dhe jo vetëm vendorë na shkruajnë se ku gjenden këto vende. Shpesh marrim mesazhe të cilët kërkojnë të na bashkëngjiten për këtë lloj aventure të provojnë ushqime tradicionale të shëtisin nëpër male”, u shpreh Emini.

Shëtitjet dhe recetat po i bëjnë interesant prizrenasit, e të cilët po përkrahen nga të tjerët.

“Aktivitetet tona kanë filluar shumë më herët, por publikimin e videove edhe pse e kemi filluar së fundi po pëlqehen. Videot i postojmë në YouTube për promovimin e natyrës te të huajt. Ne kemi filluar me promovimin e vendit tonë përmes videove, ku si qëllim kemi promovimin e bukurive natyrore”, tha ai.

Turizmi në vend është i karakterizuar nga trashëgimitë arkeologjike, kuzhina tradicionale shqiptare, arkitektura e vjetër, traditat dhe peizazhet natyrore. Pos maleve të Sharrit, ata promovojnë edhe bukuri të tjera të natyrës së Kosovës dhe ushqime të ndryshme tradicionale. Destinacion, përveç Kosovës, kanë edhe Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë.