Gjithmonë e bën të njëjtën rrugë për të shkuar në vendin e preferuar të tij.
Nëpër Shadërvan, ai ecën dhe duke shijuar bukuritë e qytetit, vazhdon me gëzim drejt rrugës, e cila dërgon te vendi ku ai i bie klarinetës.
9-vjeçari nga Prizreni, Triumf Berisha, shkon në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni”, për ta kultivuar me pasion talentin e tij për t’i rënë instrumentit frymor, klarinetës.
Mosha që ka dhe fakti që ky instrument nuk është shumë i njohur në Kosovë nuk e pengojnë atë që të korrë suksese bashkë me shokun e tij të ngushtë, klarinetën.
Me entuziazëm, ai prezantohet dhe tregon se pse e ka zgjedhur këtë instrument.
Triumfi çdoherë e rregullon vetë klarinetën dhe e bën gati që t’i interpretojë me dëshirë të madhe disa nga veprat e njohura, vepra të cilat ai i ka shumë për zemër dhe i ushtron shpesh, në mënyrë që ta perfeksionojë talentin e tij.
9-vjeçari ka fituar disa çmime në Kosovë, si dhe në festivalet e ndryshme në Shqipëri dhe Maqedoni.
Muzikanti i vogël nuk ngurron të na tregojë për çmimet dhe mirënjohjet që ka fituar, si dhe përkujdeset që të falënderojë familjen dhe trajnerin e tij.
Ai tregon edhe për pretendimet e tij në të ardhmen, ku si synim kryesor e ka pranimin në Filharmoninë e Kosovës, si institucioni më i lartë i muzikës në Kosovë.
Sado që instrumentet e tilla të muzikës klasike nuk kanë shumë famë dhe interesim nga të rinjtë, Triumfi vazhdon ushtrimet dhe përgatitjet që të bëhet një muzikant i dalluar dhe ta përmbushë ëndrrën e tij, për të cilën po punon fort me shumë vullnet.