SOT

Temperaturat jostabile, pengesë e punës së pishinave

Pronari i pishinës “Freskia” në Smallushë të Lipjanit, Naim Krasniqi, thotë se hapja zyrtare ka rreth dy-tri javë që është bërë, e përgatitjet para disa muajsh.

Ani pse është hapur qe disa javë, nuk është shfrytëzuar maksimalisht, si shkak i ndërrimit të temperaturës gjatë ditës.

E pronari kujton edhe verën më të nxehtë gjatë 22 vjetëve punë në këtë pishinë.

Në vitin 2001, kur veçse është bërë hapja e kësaj pishine, Krasniqi thotë se është menduar të jetë funksionale vetëm për banorët e fshatrave përreth.

Sot pishinat frekuentohen nga një numër i madh vizitorësh.

Pronari shton se pastërtia e ujit është faktori kryesor për të cilin interesohen klientët.

Investimet e shumta në pishinat kosovare janë me qëllim të ofrimit një ambienti sa më komod për klientët.

Hija që krijohet nga gjelbërimi e drunjtë i bën disa vizitorë të harrojnë pishinën e të shijojnë natyrën.

Kërkesat e shumta e kanë bërë pronarin të punojë edhe në ndërresën e natës.

Dy vjetët që kaluan ishin më shumë humbje sesa punë e përfitim, sipas Krasniqit.

E meqenëse raportet e IKSHPK-së tregojnë për rritje të të infektuarve, ai shpreson që humbja të mos u vijë edhe këtë vit.

Temperaturat e gjendja me pandeminë janë dy faktorët kyç që rrezikojnë punën e pishinave për këtë vit, andaj pronarët janë të shqetësuar e shpresojnë që ky vit të mos ketë pengesa gjatë punës.