SOT

Ulje çmimi te specat e patatet, ngritje për trangujt

Ka tash e disa muaj prej kur çmimet e produkteve bazike kanë filluar të pësojnë ngritje.

Ndër produktet që po shiten më shtrenjtë se më parë janë edhe pemët e perimet.

Pavarësisht faktit se shumë nga pemët e perimet kultivohen në vend, çmimi i tyre ndikohet edhe nga shpenzimet e fermerëve për t’i prodhuar.

Në Tregun e Gjelbër në kryeqytet frekuentimi i qytetarëve është mjaft i madh, por shumë nga ta kanë ankesa sa u përket çmimeve.

Ata tregojnë që edhe përbrenda tregut dallojnë çmimet, por kryesisht i cilësojnë të larta e vështirë të përballueshme.

Derisa 2 javë më parë një kilogram speca arrinte çmimin deri në 7 euro, tani çmimi i tyre ka zbritur në rreth 3 euro.

Ulje të çmimit ka edhe te patatet, nga 1 euro në 80 centë dhe domatet, 1 kilogram i të cilave kushton 2 euro.

E, për 1 kilogram tranguj konsumatorët deri pak dite më parë kanë paguar 1 euro, tash çmimi i tyre shkon në mbi 1 euro e 50 centë.

Tregtarët aty tregojnë se po mundohen që të mos i rrisin çmimet, po në të shumtën e rasteve ndikohen edhe nga tregu në përgjithësi.

Me fillimin e sezonit të pranverës pritet që tregut t’i shtohen edhe perime të tjera vendore, për të cilat ka më së shumti interesim.

Pjesa më e madhe e perimeve vendore vijnë nga ana e Prizrenit, Mamusha e Krusha.