SOT

Receta unike e rasojit nga Mihane Avdullahu

Si një nga karakteristikat e stinës së vjeshtës dhe dimrit, përveç turshisë është edhe lëngu me ngjyrë rozë, rasoji.

Mihane Avdullahu e ka mbushur pothuajse gjithë dhomën me shishe të renditura një nga një, pas konservimit të lakrës.

Për 63-vjeçarjen kjo punë është kthyer në rutinë, sepse ajo ka mbi 10 vjet që përgatit produkte të tilla e i pastaj i shet.

E ka më shumë se një dekadë që nuk e ka ndryshuar as recetën e përgatitjes së këtij lëngu.

Hudhra, majdanozi e uji janë disa nga produktet kryesore të kësaj pijeje, por ajo që i jep ngjyrën është lakra e kuqe.

Megjithatë, duhet pasur kujdes me sasinë e tyre.

Nuk diskutohet që çdo punë kërkon mund e përkushtim, por sipas Avdullahut përgatitja e rasojit përmban një teknikë të thjeshtë e të shpejtë.

Deri në konsumim, lakra duhet të qëndrojë në një hapësirë të freskët për mbi 20 ditë.

Rajosin nga duart e Mihanes mund ta gjeni në shishe të vogla e në kavanoza qelqi.

Ajvari, reçeli, uthulla e mollës, specat e lakra turshi janë produktet që i përgatit Mihanja sa herë që vjen sezoni i vjeshtës e të cilat i shet në tregun mobil në Prishtinë.

Tashmë ajo thotë se ka fituar klientët e saj besnikë, të cilët më së shpeshti zgjedhin ajvarin.

Rasoji ka veti të mira ushqyese dhe është një nga lëngjet më të pasura me vitaminë C. Shpeshherë përdoret për forcimin e imunitetit, si dhe për pastrimin e organizmit, por nuk duhet tepruar me konsumimin e tij sepse ka sasi të madhe të kripës.