SOT

Firaja e Shtërpcës, atraksion për shtëpi pushimi

Në jugun e Kosovës, me lartësinë mbidetare mbi 800 metra, ky është fshati Firajë në Komunën e Shtërpcës.

Me të arritur atje ke mundësinë të shohësh e ta ndiesh ambientin e bukur që në secilin cep të rrethon.

I pasur me ajër të pastër, e një natyrë mbresëlënëse, por që të paktë janë ata të cilët po munden ta shijojnë atë.

Më i vjetri i fshatit, po ashtu edhe ish-mësimdhënës i këtij fshati, Daut Islami, tregon se si banorët janë duke e braktisur këtë fshat, e që sipas tij shumë shpejt mund të vijë deri tek shuarja e tij, që ngjashëm ka ndodhur edhe me disa fshatra përreth.

Meqenëse kushtet bujqësore që Firaja ofron janë të shumta, ata pak banorë që kanë ngelur merren me blegtori.

Por edhe kultivimi i frutave malore, e edhe pemëtaria janë disa nga punët për të cilat njihen banorët e këtushëm.

Për një jetesë më të mirë, siç thonë ata, banorët kanë zgjedhur mërgimin e edhe qytetet e mëdha për ta vazhduar pjesën tjetër të jetës.

Janë mbi 30 vjet që kur Enver Ajeti shkoi në Gjermani, porse thotë se Firajën nuk e ndërron me asnjë shtet tjetër.

Agron Hajdari është një nga banorët rezident, porse njëherë nuk e ka ndërmend ta ndërrojë vendbanim, i cili po ashtu është i shqetësuar për braktisjen e fshatit të lindjes.

Edhe pse vetë banorët po largohen, megjithatë ka prej tyre të cilët janë të interesuar për këtë fshat.

Një natyrë të bukur nuk duan ta humbin turistët e tjerë, disa nga ta madje kanë investuar aty duke ndërtuar bujtina.

Pasi që çdo ditë fshati po përballet me braktisje, banorët kërkojnë investime nga shteti.

Ata thonë se nëse institucionet kthejnë sytë nga zhvillimi i turizmit në këtë fshat, shumë shpejt mund të mbipopullohet dhe të ngjallet atmosfera që dikur ishte e zëshme në Firajë.