SOT

Studentët kthehen në kohë me veshje tradicionale nga malësia

Gërshetim të kulturës e traditës shqiptare nga Kosova, Mali i Zi e Maqedonia solli ekspozita e përvitshme në Fakultetin Filozofik, në kuadër të degës së Antropologjisë.

Me anë të punës në terren, e gjetjes së eksponateve, studentët e vitit të tretë në Antropologji e shpalosën ekspozitën me titullin: “ARKA E FAKULTETIT FILOZOFIK, E ARDHMJA DUKE RRËFYER TË KALUARËN”.

Profesori Arsim Sinani, me anë të kësaj thotë se synim e ka përgatitjen e studentëve, që edhe pas studimeve të çmohet e të punohet denjë për kulturën e traditat.

Një arkë nusërie e marrë nga Prespa e Maqedonisë, në mënyrë figurative e tregon nderin që i bëhet gruas ne traditën shqiptare. Derisa mjete pune, çorape nga leshi e goblenë janë eksponatet e paraqitura bashkë me historinë e tyre.

Kthimin prapa në kohë me anë të kësaj ekspozite studentët e shohin si një mundësi të mirë të mësimit krahas sallave të ligjëratave.

Ekspozita u zhvillua nën tinguj të muzikës tradicionale shqipe dhe fotografive të shkrepura gjatë ekspeditave të tyre në këto treva.