SOT

Strazha e Kaçanikut, vendi që po tërheq vizitorë të shumtë

Jemi rrugës drejt një fshati të bukur, por jo edhe shumë të njohur.

E gjithë rruga për atje të përcjell me një natyrë mbresëlënëse.

Administratori i fshatit, Nexhmedin Lika, thotë se Strazha është një nga fshatrat e Kaçanikut që kohëve të fundit është duke tërhequr shumë turistë pikërisht për shkak natyrës që mbizotëron.

Strazha është rreth 1100 metra lartësi mbidetare, por natyra e bukur nuk u mjaftoi të rinjve të këtushëm që tashmë mërgimin po e shohin si mundësi më të mirë jetese.

Nexhmedini thotë se interesimi për këtë vend është tejet i madh për shkak pozitës gjeografike që ka, madje aty takohen tri rryma ajri.

Shumë vite më parë po në këtë vend, të rinjtë kishin mbjellë qindra pisha, e që tani kjo hapësirë është kthyer në atraksion, e madje vendi i pishave është ndër më të frekuentuarit.

Interesimi për t’u vizituar ky vend është më i dukshëm gjatë vikendeve, por banorët thonë se komuna duhet kthyer sytë për investime nga ky vend.

Ndërsa, drejtori i Administratës në Komunën e Kaçanikut, Festim Neziraj, thotë se banorët e Strazhës janë ata të cilët kanë meritat më të mëdha për pamjen tërheqëse që ka fshati i tyre.

Sipas tij, komuna e Kaçanikut tashmë ka në fokus Strazhën dhe pret të sjellë investitorë në mënyrë që të ketë zhvillim edhe të mëtejmë të fshatit.

Në fshatin Strazhë janë të pakta ato biznese, të cilat kanë investuar deri më tani aty, por që kohëve të fundit është vërejtur interesimi më i madh edhe në blerjen e shumë parcelave.