SOT

22-vjeçari me mbi 10 vjet përvojë në punë me filigran

Durim Haxhifazliu është nga qyteti i Prizrenit, ku zeja e filigranit është ndër më të njohurat.

Interesim për këtë zanat ai shprehu qysh në vegjëli.

Dhe ende pa i mbushur 10 vjet filloi ta mësonte filigranin nga zejtarë të vjetër të qytetit.

Me t’u avancuar në këtë veprimtari, ai vendosi që të pajisej me mjete që ta fillonte punën vetë.

Shkoi në qytetin e Shkupit që t’i blinte ato, por pa që kostoja ishte e lartë e nuk mund ta përballonte.

Thotë se shitësi e pa pasionin e tij dhe ia dhuroi të gjitha mjetet duke e liruar nga pagesa.

Dashurisë që ai ka për këtë zanat ia shtoi edhe vullnetin për të punuar e për t’u zgjeruar më shumë në zejen e filigranit.

Haxhifazliu ende e mban fotografinë e punimit të tij të parë.

Tash, shumë vjet pas punimit të tij të parë, e bën të duket shumë e natyrshme procedura e punës.

Përpos kreativitetit për të bërë punime filigrani, thotë se duhet qetësi e dashuri për zanatin.

E stolitë nuk janë punimet e vetme që ai i bën.

Figura e Skënderbeut, thotë se, është më e veçanta për të.

Për të ardhmen ka qëllime të shumta, hapin e parë drejt së cilave e ka bërë duke e hapur një dyqan ku mund t’i shesë më lehtë punimet.

Përveç në vend, ka arritur që disa nga punimet e tij t’i shesë në Miami të SHBA-së dhe në Spanjë.