SOT

Frutat e thata nga familja Rashiti

Fillimisht ishte babai i tyre ai i cili shiste fruta të thata në treg të Prishtinës.

Ndër vite interesimi për to vazhdonte të rritej, kështu erdhi edhe deri te hapja e një lokali ku do të përfshihej e gjithë familja Rashiti e edhe me më shumë llojshmëri të frutave të thata.

Rina Rashiti thotë se duke u marrë e gjithë familja me shitjen e tyre iu është lehtësuar puna, madje edhe vetë ata ndërkohë kanë mësuar për vetitë e mira ushqyese që kanë këto produkte.

Sipas Rinës, ka shumë lloje të frutave dhe erëzave për të cilat qytetarët nuk kanë njohuri për të mirat që ato sjellin në përdorim, ndër to ajo veçon farat e pishave.

E Blend Rashiti, përderisa kujdeset që secila prej produkteve të ketë paraqitje të pastër para klientëve, shton se cilësia është ajo që u garantohet konsumatorëve.

Ai tregon se së fundmi herë hurmat mbretërore janë ndër më të kërkuarat edhe pse përmbajnë një kosto të lartë.

Kohëve të fundit për shkak të situatës së krijuar me pandeminë, shumë qytetarë kanë rritur interesimin për këto lloj produktesh e që shumica prej tyre luajnë rol preventiv ndaj shumë sëmundjeve.