SOT

Të rinjtë me aplikacion që iu siguron ushqim nevojtarëve

“Click to eat”, është aplikacioni që i bëri bashkë tre të rinjtë, Gonxhen, Rilindin e Gresën.

Zakonisht, takimet e tyre janë në hapësirat e Parkut të Qytetit, aty ku diskutojnë detajisht rreth programit që do ta lansojnë më 1 qershor.

T’iu dalin në ndihmë personave në nevojë, është qëllimi kryesor i këtij aplikacioni që do të shërbejë falas, e përmes tij do t’iu sigurojnë ushqim atyre.

Rilindi është njëri nga programuesit e aplikacionit, sipas të cilit qasje në të do të kenë të gjitha moshat.

Restorantet, lokalet e bizneset e ndryshme mund të kontribuojnë përmes kësaj platforme, duke mos i hedhur ushqimet tepricë, por duke i paketuar e publikuar në aplikacion.

Ai thotë se aty mund të dhurohen edhe shuma parash duke filluar nga 70 centë.

Që nga fillimi, këta të rinj së bashku me të tjerë, e kishin të qartë audiencën së cilës do t’i drejtohej aplikacioni.

Ata gëzuan edhe përkrahje komunale, me ç ‘rast këta të fundit përmes adresave të personave në nevojë, do t’ua lehtësojnë të rinjve të bëjnë dërgesën e ushqimit deri te shtëpitë e tyre.

Ideja e tyre ishte mirëpritur që nga fillimi. Gonxhja, njëra nga iniciatoret, thotë se lansimit të “Click to eat” do t’i paraprijë kampanja dhe videot ilustruese.

Realizimi i plotë i këtij programi për njerëzit në nevojë, do të jetë i pari i këtij lloji në Kosovë.

Ushqimet e grumbulluara për këtë kategori, krijuesit e këtij aplikacioni thonë se do t’i dërgojnë në Kuzhinën Popullore në Prishtinë.