SOT

Mbi 30 hektarë me serra e plantacione në Llugaxhi

Këto janë plantacionet me mollë të Mehdi Bresillës në fshatin Llugaxhi të Lipjanit.

Lloje të ndryshme të mollëve kultivohen aty tash e 10 vjet.

Përpos spërkatjes kundër insekteve, fermeri thotë se duhet menduar edhe ana e kushteve atmosferike.

Që mollët të mos dëmtohen nga breshëri e të reshurat e tjera, sipër tyre janë vendosur rrjeta që hapen në muaj të caktuar gjatë vitit.

Krahas mollëve, aty po kultivohen edhe dredhëzat, e perimet si specat, domatet e trangujt.

Të njëjtët fidanë të dredhëzave, Bresilla i ka mbjellë në fushë edhe në serrë.

Temperatura, lagështia e ajrit e depërtimi i dritës brenda serrës bëjnë që të piqen në kohë më të shkurtër se ato jashtë.

Përderisa dredhëzat do të jenë gati për treg brenda pak javësh, në serrën anash saj është bërë gati terreni për të mbjellë speca e domate.

Edhe specat brenda serës rriten më shpejt.

Stinëve të nxehta kur specat e domatet janë ende duke dhëne fryte, serrat janë të zëna me to.

Por, kur sezoni i tyre të përfundojë, aty e zënë vendin pemët e perimet që kultivohen gjatë stinëve të ftohta.

Shumicën e produkteve bujqësore, Bresilla i shet në tregjet e vendit, kurse specat i mbjell me shumicë për t’i eksportuar në vendet perëndimore.