Afro 3 kilometra është rruga që e përshkon minibusi elektrik prej ditës kur u vu në funksion në Pyllin e Arinjve.
Ky relacion nis nga Pylli i Arinjve deri ku ndahet rruga për fshatin Mramor me rrugën e Liqenit.
Lume Gashi është vozitësja e këtij mjeti transportues elektrik.
“Kam filluar prej 1 muaji si punëtore në Pyllin e Arinjve, ndërsa tash jam shofere e minibusit elektrik. Ky minibus funksionon me rrymë, andaj është më i veçantë se mjetet e tjera të transportit”, tregon shoferja, Lume Gashi.
Udhëtimi me minibusin, sipas Gashit, po del të jetë pjesa e preferuar e vizitorëve, ani pse ka vetëm 5 ditë prej vënies në funksion.
“Prej 1 prillit kur e kemi vënë në funksion minibusin, ka pasur vizitorë shumë. Iu dukej interesant udhëtimi në këtë formë, andaj edhe parashtronin pyetje rreth këtij mjeti”, thotë Gashi.
Biletat për udhëtim me minibusin elektrik ndahen në disa kategori, procedurë të cilën e përcjellë Gashi.
Ishte ide e kamotshme kjo e sjelljes së një transportuesi elektrik, thotë Taulant Hoxha.
Sipas tij, një mjet i tillë nuk kërkon rrugë specifike që e mundësojnë transportimin e udhëtarëve, andaj konsiderohen si tejet praktik, ani pse thotë të ketë kapur kosto të lartë.
“Ideja për një mjet të tillë transporti ka lindur gjatë një vizite te disa miq në Zvicër, e u frymëzuam kështu edhe prej vendit ku ata punojnë. Deri tash po pritet mirë prej vizitorëve, por gjatë verës do të gjejë përdorim edhe më shumë pasi që është i hapur”, thekson Taulant Hoxha.
Pylli i Arinjve, edhe sot mbetet një nga pikat më atraktive për shumë vizitorë, me fluks më të madh gjatë sezonit pranveror e veror kur edhe arinjtë zgjohen.