SOT

Frikë e dashuri për babadimrin

Të gjithë e njohin babagjyshin me mjekër të bardhë e rroba të kuqe, por më së shumti e duan fëmijët. Por kjo nuk vlen për të gjithë. Me lot e frikë e bëjnë foton e fundvitit shumë nga të vegjlit sa herë që ulen në prehrin e babagjyshit, kostumin e të cilin këtë herë e ka veshur Bajram Grajçevci.

“Ndjenja te fëmijët është se janë shumë të kënaqur se kur vjen te Babadimri mendon që i jep një dhuratë”, thotë ai.

Grajçevci thotë se më së shumti fëmijët kanë frikë nga mjekra. Grupmoshat nga 1 deri në 4 janë ato që sipas tij nuk e duan babadimrin.

“Fëmijët më të vegjël nuk dinë dhe frikohen ndoshta pak nga mjekra, mirëpo të vegjlit dhe ata më të rritur i pajtojmë me dhurata”, tregon Grajçevci.

Roni Ahmedi, tashmë 5-vjeçar ka dashuri të madhe për babadimrin. Por kështu nuk ishte ndier kur si më i vogël ishte fotografuar me të.

“Fatmirësisht, fëmijët e mi nuk e kanë pasur problem prezencën e Babadimrit, dhe kanë dëshirë, kanë pasur qejf që prej të vegjël”, tregon nëna e tij, Venera.

“Jo, nuk frikohem fare, unë kur e shoh shumë gëzohem”, shton Roni.

E motra e tij, Noa thotë se i do fotografitë me babadimrin si kujtim për festa.

“Nuk frikohem nga Babadimri, unë e dua shumë Babadimrin, sepse na sjell dhurata”, thotë ajo.

E secila fotografi përcillet edhe me kalendar si kujtim nga festat.