SOT

Vera e ngrohtë që u jep shije ditëve të ftohta

Fundviti i 2020-s është i shoqëruar me kufizime të ndryshme, por në lagjen “Arbëria”, në Prishtinë, e kanë krijuar një atmosferë të ngjashme me tregun e fundvitit. Dekorimet e shumëllojshme që i karakterizojnë festat e dhjetorit nuk janë të vetmet që e sjellin atmosferën festive. Pijet si çokollata, vera, por edhe rakia që ua shtojnë shijen ditëve të ftohta.

Ndonëse të gjitha pijet e shtëpizës së drurit e kanë klientelën e tyre, më shumë ka interesim në verën e nxehtë. Frutat e ndryshme që përdoren dhe kanella e bëjnë, sipas Tringa Rezniqit, të veçantë verën e “Arabellës”.

“Gjatë këtyre ditëve të ftohta na nevojitet diçka për tu ngrohut e gjëja më e mirë që mund ta ofrojmë është vera e vluar, të cilën e kemi me recetë të shtëpisë. Përbërësit janë portokalli, limoni, kanella, ftoi dhe sheqeri”, tregon ajo për KOHËN.

Sipas Rezniqit, krijimi i atmosferës së tregut të fundvitit është bërë tashmë traditë.

Pandemia i ka mbyllur tregjet e fundvitit, por kjo hapësirë e hapur krijon ambient të ngjashëm. E risi për këtë vit, sipas Getoar Ndout, po ashtu pjesëtar i stafit të Arabellës, është edhe zjarri brenda tavolinës.

“Ne kemi ardhur te kjo ide bashkë me Reshatin (pronarin e biznesit ngjitur) në mënyrë që t’ua kthejmë njerëzve buzëqeshjen. Po mundohemi që çdo ditë e çdo natë, nga mëngjesi në këtë orarin që e kemi të kufizuar (deri në 7 të mbrëmjes) t’i argëtojmë njerëzit me dashuri, buzëqeshje e muzikë”, thotë Ndou.

Kënaqësi, sipas Ndout, është t’i shohë njerëzit e gëzuar e të kënaqur brenda një ambienti të ngrohtë e festiv.