SOT

Pishat e nxënësve e kthejnë në atraksion Tërpezën

Shumë vjet më parë këto pisha u mbollën nga disa nxënës të Komunës së Vitisë.

Të njëjtat, vite më pas janë burimi më i madh i oksigjenit në fshatin Tërpezë, e edhe pika më atraktive në këtë zonë.

Sami Neziri nga ky fshat, është një nga nxënësit që kishte kontribuuar dikur në njërën pjesë të këtij parku, i njëjti tani po e shfrytëzon për ecje në natyrë.

Mëngjeset e Samiut nisin në ora 5, pikërisht nga parku i pishave, i cili nën shoqërimin e miqve përshkojnë secilin cep të tij.

Samiu thotë se ky park është i pasur me shumë kafshë, të cilat ka pasur rastin t’i shohë edhe vetë gjatë ecjes.

Komuna e Vitisë së fundmi herë ka ndihmuar në pjesën infrastrukturore, megjithatë një pjesë e mirë e punimeve u kompletua falë ndërhyrjes së vetë banorëve të këtushëm, transmeton Koha.

Muhabi Bajrami dhe miku i tij, Gani Shaqiri, janë dyshja tjetër që e viziton këtë vend për çdo ditë.

E gjithë jeta i përcolli së bashku, ashtu edhe po e vazhdojnë në periudhën e pensionimit.

Sipas Muhabiut dhe Ganiut, pishat kanë ndikuar për të mirë në shëndetin e tyre.

Si çdo hapësirë e gjelbër, edhe ky atraksion në kohën e pandemisë ka qenë i ngarkuar.

Vizitorë të shumtë nga vende të ndryshme gjenin pushim në parkun te “Pishat e Tërpezës”.