E quajnë druri mbretëror. E origjina e tij është nga Kina, e cila e kultivon atë për shekuj të tërë.
Të mirat materiale të cilat i sjell Paulownia kanë bërë që viteve të fundit të njihet e të kërkohet në sasi të madhe, e kësisoj edhe përfitimi ekonomik të jetë më i lartë, raporton KOHA.
Disa vjet më parë, Ruzhdi Ejupit nga Podujeva i erdhi një dhuratë nga miku i tij kroat, një bimë e Paulownisë e llojit elongata.
Në atë kohë, Ejupi vuri re rritjen e saj ekstreme, e cila ia ngjalli interesimin e mëtejmë, e që më pas filloi edhe vetë të kultivonte atë.
Të gjitha ato që i mbolli Ejupi janë të ardhura nga Kroacia.
E, sipas tij, sezoni i vjeshtës është koha më e përshtatshme për mbjellje.
Hapësirat, çdo vjet i ka zgjeruar Ejupi. Tashmë janë rreth 25 hektarë të mbjellë me këtë lloj bime.
Për shkak periudhës së shkurtë të verës në Kosovë, një druri të tillë i duhen 7-8 vjet deri sa ta arrijë formën që duhet për shitje.
Në vitet e para të mbjelljes bima kërkon ujitje më të shpeshtë, e më saktësisht rreth 20 litra ujë në javë për një fidan në ato vende në të cilat sasia e reshjeve është më e vogël.
Druri i saj është shumë i përdorshëm në industri të ndryshme, sepse ka një kualitet mjaft të mirë dhe 8 vjet pas mbjelljes ajo jep rreth 1 metër kubik masë drunore.
Ejupi thotë se italianët janë të parët të cilët janë në kërkim të këtij druri.
Paulownia përdoret edhe si bimë dekorative. Ajo lulëzon njëherë në vit dhe lulen e mban afro 6 javë, lule e cila ka ngjyrë vjollce ose të bardhë.