SOT

Gjenerata e pestë që trashëgoi punën me vegla muzikore

Është gjenerata e pestë që trashëgoi traditën e punimit të veglave muzikore tradicionale.

Kjo është punishtja e Naim Hoxhës nga fshati Marali e Komunës së Malishevës. Naimi aty e kalon pjesën më të madhe të ditës, duke punuar sharki, çifteli, prima e instrumente të tjera me tela, raporton KOHA.

Për ta finalizuar tërë punën në një vegël të tillë, atij i duhen disa javë. Koka e çiftelisë punohet prej llojeve të ndryshme të drurit, e bishti i saj gjithnjë duhet të jetë nga druri i ahut.

Naimi flet për kohën kur nisi vetë të punonte një vegël muzikore tradicionale. E një të tillë e ka trashëgim nga babai, për të cilën thotë se e ruan me shumë mall.

Veglat e punuara nga Naimi janë me nota muzikore, siç thotë ai tingulli i tyre është më i perfeksionuar sesa i atyre që përdoreshin dikur.

Sipas Naimit, punëtoria e tij “Artizanate”, asnjëherë nuk ka gjetur ndonjë përkrahje nga shteti me gjithë vështirësitë që has.

Ajo që e bën më krenar Naimin është interesimi çdo ditë e më i madh i qytetarëve për veglat e tilla. Ai madje tregon që mërgimtarët tanë bëjnë porosi të ndryshme, e që në vendet e huaja i prezantojnë traditat kosovare.

E 15-vjeçari Feston Hoxha është trashëgimtari i familjes, i cili thotë se do ta bëjë të njëjtën siç veproi babai i tij karshi këtij zanati.

Festoni madje edhe shokëve të tij të gjeneratës ua ka punuar vetë nga një çifteli.

Shumë prej pajisjeve që kishin përdorur dikur të parët e Naimit, ende kanë vend në këtë punishte. E po të vish në një ambient të tillë, patjetër edhe një ekzekutim nga vetë ai nuk do të mungonte, bashkë me ndihmën e një vegle të cilën e kishte punuar babai i tij.