Libri “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës” i imam Mevludin Hrnjiqit përfaqëson një dëshmi të rrallë dhe të pazëvendësueshme për një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. I shkruar nga perspektiva e një dëshmitari të drejtpërdrejtë, ky tekst kapërcen kufijtë e rrëfimit personal për t’u shndërruar në një dokument të rëndësishëm historik dhe moral, i cili ndriçon përmasat e dhunës sistematike dhe të urrejtjes etnike të ushqyer nga ideologjia e Serbisë së Madhe. Me një ndershmëri të thellë, një sens të fortë etiko-historik dhe një guxim të veçantë moral, imam Mevludin Hrnjiqi i jep zë një prej tragjedive më të mëdha të kohës sonë. Ky zë duhet jo vetëm të dëgjohet, por të ruhet, të studiohet dhe të përcillet brez pas brezi
Në librin e tij “Dëshmitar i gjenocidt të Srebrenicës – Kronologji e kujtesës” imam Mevludin Hrnjiq përshkruan me detaje rrënqethëse mënyrën se si njësitë paraushtarake serbe, si “Tigrat e Arkanit”, përhapnin terror të organizuar për të detyruar myslimanët të braktisnin shtëpitë dhe tokat e tyre. Ky terror nuk ishte thjesht spontan, por pjesë e një strategjie të mirëkoordinuar, e cila gëzonte mbështetjen dhe pjesëmarrjen aktive të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë (JNA) në operacionet e spastrimit etnik.
Një nga episodet më të forta që autori sjell është momenti kur gjatë kthimit nga një vizitë te një xhematli në Karakaj, ai përballet me kërcënime me thikë nga ushtarë serbë, të cilët i bënin gjeste prerjeje të fytit – një shenjë simbolike dhe tronditëse e dhunës së paralajmëruar. Ky rast nuk është një incident i izoluar, por përfaqëson thelbin e bashkëpunimit kriminal mes institucioneve ushtarake shtetërore dhe grupeve paramilitare – një bashkëpunim që bëri të mundur realizimin e gjenocidit në terren.
Barrikadat e “Revolucionit të drunjtë”
Një nga momentet që paralajmëroi fillimin e hapur të luftës ishte 6 prilli, kur në qytetin e Zvornikut ndodhën ngjarje të trishta dhe shqetësuese: serbët lokalë vendosën barrikada në Fushën e Vidakovës dhe në Meterizëm. Ky ishte i ashtuquajturi “revolucioni i drunjtë” – një strategji e njohur tashmë nga konteksti i Kosovës, ku grupe serbe lokale, të përkrahura nga Beogradi, inskenonin bllokada për të krijuar kaos institucional dhe për të luajtur rolin e viktimës. Kjo skemë propagandistike shpesh paraprinte sulmet e organizuara.
Edhe pse njeri i fesë, ai i beson luftës së armatosur dhe gjithnjë e përmend me respekt rezistencën e luftëtarëve të boshnjakë myslimanë. Ai pranon se boshnjakët ishin të dobët në aspektin e armatimit, por thotë: “Ne jemi gati të luftojmë dhe të përballemi me armikun.”
Pas rënies së Kamenicës, imam Mevludini, me familjen dhe banorët e tjerë, arrin në Srebrenicë, e cila në atë kohë do të shpallej zonë e mbrojtur e OKB-së.
Pasi qyteti u shpall zonë e mbrojtur, filloi demilitarizimi i forcave boshnjake myslimane, ndërsa jashtë tij u vendosën pika vëzhgimi të OKB-së. Megjithatë, sipas autorit, situata vetëm përkeqësohej – ndihmat humanitare shpesh pengoheshin nga çetnikët serbë, ndërsa brenda qytetit mbizotëronte frika dhe pasiguria, sidomos kur disa komandantë të njësive boshnjake, përfshirë legjendarin Naser Oriq, u larguan nga Srebrenica. Për këtë të fundit, Mevludin shpreh konsideratë dhe respekt të thellë.
Fillimi i korrikut: rrethimi nga njësitë çetnike
Në fillim të korrikut, njësitë çetnike serbe filluan rrethimin e qytetit – një sinjal i qartë për katastrofën që po afrohej. Komandanti Rupert Smith dhe trupat e UNPROFOR-it, megjithëse të pranishëm, nuk ndërmorën asnjë veprim për të ndalur sulmet, duke lënë qytetarët në një gjendje të pafuqishme. Shpresa e tyre po shuhej dita-ditës.
Në ditarin e tij, imam Mevludini përshkruan momentet më të dhimbshme të ballafaqimit të popullatës civile me agresorin. Ai kujton me dhimbje fjalët e babait të tij, i cili, në një përpjekje për të mbrojtur familjen, i përgatiti një çantë shpine me pak bukë, disa konserva, lëng pluhuri dhe disa fletë duhani, duke i thënë:
“Hajde, fëmijë, shpëtoni veten, me mua le të bëhet si të bëhet.”
Kjo ishte hera e fundit që Mevludini pa babanë e tij – një kujtim i përjetshëm i tragjedisë personale dhe kolektive që po ndodhte.
Ishte 11 korriku – dita kur nisi dënimi me vdekje i Srebrenicës. Imam Mevludini, pasi takohet për herë të fundit me nënën e tij, nis rrugëtimin me kolonën e luftëtarëve si pjesëtar i çetës së katërt të Brigadës 284. “Në kodrën mbi fshatin Joshgevë po pushojmë, kthehem dhe shikoj Srebrenicën. Sytë më mbushen me lot – nga trishtimi dhe pafuqia, duke parë se çfarë po ndodhte me ne”, shkruan ai.
Tetëdhjetë ditë frikë, vuajtje e luftë për mbijetesë
Kështu nis udhëtimi i tij tetëdhjetëditor drejt Kalesijës, përmes pyjeve, kodrave, rrugicave dhe linjave çetnike – një rrugë e mbushur me frikë, vuajtje dhe përpjekje për mbijetesë. Përmes rrëfimit të tij, lexuesi përjeton makthin dhe torturën që e përcolli çdo hap të këtij marshimi me plotë episode të frikshme dhe dramatike.
Në një nga episodet më të dhimbshme, imam Mevludini përshkruan përdorimin e armëve kimike nga çetnikët, të cilët helmuan edhe burimet e ujit për të goditur kolonat e civilëve. “Efekti i helmeve të betejës, halucinacionet, mungesa e gjumit, rraskapitja, uria dhe paniku lanë gjurmë të thella. Shumë u dorëzuan. Disa me shpresën e kotë se do të liroheshin apo shkëmbeheshin, të tjerë, në dëshpërim, bënë vetëvrasje. Të plagosurit bënë të njëjtën gjë, sepse askush nuk mund t’i ndihmonte”.
Një nga përjetimet më prekëse është takimi me nënën pas shpëtimit: “Ishte një përjetim për të cilin kisha ëndërruar gjatë gjithë kohës. Pas takimit me nënën time, ndjeva një forcë të madhe dhe qetësi. Ajo gjithmonë më ka dhënë vetëbesim të ri.” Ndërsa për babanë dhe vëllezërit e vrarë, ai thotë: “Shpesh i takoj vetëm në ëndërr, sikur të ishin gjallë. Dhe kjo bëhet gjithnjë e më e rëndë çdo vit që kalon”.
Ky fragment përfaqëson një moment të thellë emocional dhe narrativ në rrëfimin autobiografik të imam Mevludin Hrnjiqit, duke nxjerrë në pah dimensionin personal dhe kolektiv të traumës pas gjenocidit në Srebrenicë. “Shtëpia ishte shkatërruar dhe djegur. U ula në prag dhe qava nga thellësia e shpirtit”, shkruan imam Mevludini. Kthimi në vendlindje pas dy vjetësh e gjysmë, përballja me shkatërrimin fizik të shtëpisë dhe shpërthimi i dhimbjes përmes lotëve, artikulojnë në mënyrë prekëse përmasat e humbjes dhe zhveshjen e të mbijetuarit nga çdo përkufizim i normalitetit.
Episodi me bashkëkombësin Rexho, i cili i dorëzon rrëfyesit të brendshmet e një foshnjeje si amanet për bashkëshorten e tij, bart një ngarkesë simbolike të jashtëzakonshme: është një dëshmi e fundit e jetës dhe dashurisë brenda një konteksti të shfarosjes sistematike. Ky gjest i thjeshtë, por thellësisht human, shndërrohet në një thirrje etike për ruajtjen e kujtesës, përballjen me dhimbjen dhe ruajtjen e nderit të viktimave përmes aktit të dëshmisë.
Paralajmërimi që në Kosovë të mos ndodhte një “Bosnjë e dytë”
Për imam Mevludin Hrnjiqin dokumentimi i tragjedisë boshnjake dhe veçanërisht gjenocidi në Srebrenicë nuk është thjesht një kujtim personal, por një thirrje universale për të mos harruar dhe për të mos falur krimet që ndodhën në Srebrenicë. Ashtu si për autorin ishte një detyrim moral dhe historik të dokumentojë gjenocidin, për ne të gjithë është përgjegjësi e përbashkët të ruajmë kujtesën për këtë ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë së Ballkanit dhe që shërbeu si paralajmërim për botën, që në Kosovë të mos ndodhte një “Bosnjë e dytë”. Përvoja tragjike e gjenocidit në Srebrenicë në korrik të vitit 1995 shërbeu si një pikë kthese në ndërgjegjësimin e elitave politike perëndimore për nevojën e ndërhyrjes së hershme dhe vendimtare në rastet e krizave humanitare dhe të dhunës masive. Kjo traumë kolektive ndikoi në formësimin e gatishmërisë për të vepruar me më shumë vendosmëri në rastin e Kosovës katër vjet më vonë, përmes një ndërhyrjeje ushtarake që synonte ndalimin e spastrimit etnik dhe ndëshkimin e makinerisë shtetërore serbe të dhunës.
Kundërshtimet deri në mohim të krimeve
Megjithatë, edhe sot, ndër qarqet e majta radikale në Perëndim dëgjohen zëra kritikë ndaj kësaj ndërhyrjeje, të cilët, të udhëhequr nga bindje të thella antiamerikane dhe një diskurs i ashtuquajtur “anti-imperialist”, e konsiderojnë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si të paligjshme, për shkak të mungesës së një autorizimi eksplicit nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, veçanërisht për shkak të kundërshtimit rus. Këto qëndrime shpesh shoqërohen me një minimizim apo mohueshmëri të krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj popullatës shqiptare të Kosovës.
Për më tepër, disa nga këto zëra jo vetëm që kundërshtojnë legjitimitetin e ndërhyrjes dhe pavarësinë e Kosovës, por shkojnë deri në mohimin e ngjarjeve të dokumentuara si masakra e Reçakut dhe shumë mizori të tjera, duke i paraqitur ato si konstruksione propagandistike apo shpifje të qëllimshme. Një qëndrim i tillë, përveçse bie ndesh me të dhënat e Tribunalit të Hagës dhe raportet e organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, rrezikon të legjitimojë qasjet revizioniste dhe të dëmtojë përpjekjet për drejtësi dhe pajtim në rajon.
Në këtë kontekst, miratimi i Rezolutës për Srebrenicën nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2024, e cila e shpall 11 korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, përfaqëson një akt të rëndësishëm të njohjes ndërkombëtare të së vërtetës historike dhe një hap domethënës drejt drejtësisë tranzicionale. Kjo rezolutë jo vetëm që konsolidon narrativën e bazuar në fakte për krimet e kryera, por gjithashtu hap një shteg të ri për reflektim kritik dhe ballafaqim të shoqërive me të kaluarën e tyre të dhunshme.
Në këtë linjë, edhe Kosova — një vend që vetë ka qenë viktimë e spastrimit etnik dhe dhunës shtetërore të drejtuar nga e njëjta ideologji nacionaliste serbe — ka përgjegjësinë morale dhe historike të përkujtojë këtë ditë me dinjitet dhe me simbole të qëndrueshme. Një akt i tillë mund të jetë vendosja e një memoriali përkujtimor që mban numrin 8,372, që përfaqëson numrin e boshnjakëve të vrarë në Srebrenicë, si një kujtesë publike e përhershme për gjeneratat e reja dhe një deklaratë e qartë e solidaritetit me viktimat e gjenocidit. Përmes një përkujtimi të tillë simbolik, Kosova kontribuon në kulturën e kujtesës kolektive evropiane dhe ndërkombëtare, duke e pozicionuar veten si një shoqëri e përkushtuar ndaj së vërtetës, drejtësisë dhe paqes..
Përfundim
Libri “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës” i imam Mevludin Hrnjiqit përfaqëson një dëshmi të rrallë dhe të pazëvendësueshme për një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. I shkruar nga perspektiva e një dëshmitari të drejtpërdrejtë, ky tekst kapërcen kufijtë e rrëfimit personal për t’u shndërruar në një dokument të rëndësishëm historik dhe moral, i cili ndriçon përmasat e dhunës sistematike dhe të urrejtjes etnike të ushqyer nga ideologjia e Serbisë së Madhe.
Kjo ideologji, me rrënjë të thella në Memorandumin famëkeq të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (1986), i cili është i krahasueshëm me platformën e Klubit Kulturor Serb të vitit 1939, vazhdon të ndikojë diskursin politik dhe shoqëror serb, përkundër faktit se asnjëherë nuk është dënuar seriozisht nga vetë Serbia apo nga komuniteti ndërkombëtar. Siç ka vërejtur me të drejtë shkrimtari Ismail Kadare, “Bombat e NATO-s ndëshkuan Serbinë më 1999, por jo doktrinën serbomadhe.”
Në këtë kontekst, libri i Hrnjiqit nuk është vetëm një akt kujtese, por edhe një thirrje e fuqishme për drejtësi, përgjegjësi dhe reflektim historik. Ai sfidon amnezitë kolektive dhe mohimet e qëllimshme, duke riafirmuar domosdoshmërinë për një ballafaqim të ndershëm me të kaluarën si parakusht për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Ballkan.
Me një ndershmëri të thellë, një sens të fortë etiko-historik dhe një guxim të veçantë moral, imam Mevludin Hrnjiqi i jep zë një prej tragjedive më të mëdha të kohës sonë. Ky zë duhet jo vetëm të dëgjohet, por të ruhet, të studiohet dhe të përcillet brez pas brezi, si pjesë përbërëse e kujtesës sonë kolektive dhe si garanci për mosripërsëritjen e së keqes.