Prejardhja e xhubletës konsiderohet të jetë mesdhetare dhe lashtësia 4000-vjeçare. Këto të dhëna janë mbështetur në gjetjet arkeologjike në Kliçavec të Bosnjës, të figurinave shumë të ngjashme si në formë, edhe në ornamentikë me xhubletën. Disa autorë konsiderojnë se xhubleta ka origjinë kreto-mikenase, por ajo u integrua mirë në kulturën ilire dhe vazhdoi e vazhdon jetën e saj në forma të ndryshme deri në ditët e sotme
Kultura materiale është pjesë e rëndësishme e çdo kulture. Ajo ka përparësi konkretësinë dhe jetëgjatësinë, por edhe mundësinë që në qenien e saj të ngërthehen dimensione të tjera kulturore. Aspekti ergologjik mundëson shqyrtimin e elementeve të kulturës materiale si komoditete – artikuj këmbimorë, me ç’rast sillen në pah, përveç vlerës së këmbimit në aspektin ekonomik, edhe gërshetimet e dimensioneve të tjera kulturore e sociale me atë ekonomik në vetë qenësinë e objektit.
Pra, këtu në qendër të analizës është vetë komoditeti/objekti dhe shumëkuptimësia e tij vlerore në kohë dhe hapësirë si refleksion i gërshetimit të përmendur. Këtë aspekt dhe kontekst të ri autori Appadurai e quan “perspektivë të re mbi qarkullimin e komoditetit në jetën shoqërore” në kuadër të jetës shoqërore të gjësendeve.
Çfarë është një komoditet në kontekst kulturor e shoqëror?
Sipas Appadurait, “komoditetet dhe gjërat apo sendet në përgjithësi janë me interes të pavarur për disa fusha të antropologjisë. Ato përbëjnë parimet e para dhe drejtimin e fundit për arkeologët. Ato janë gjëra të “kulturës materiale” që i bashkojnë arkeologët me disa antropologë kulturorë fushash të ndryshme. Si gjëra të vlefshme, ato janë në zemër të teorisë së këmbimit dhe antropologjisë sociale në përgjithësi...” Sipas I. Kopytoffit, “për një ekonomist komoditetet definohen si gjëra që kanë vlerën e përdorimit e që kanë gjithashtu edhe vlerën e këmbimit, ndërsa nga perspektiva kulturore, prodhimi i komoditeteve është gjithashtu një proces kognitiv: komoditetet nuk duhet të prodhohen vetëm materialisht si sende, por gjithashtu duhet të shënohen kulturalisht të jenë si sende/gjëra të llojit të caktuar”.
Me këtë rast do të provojmë ta vështrojmë “Xhubletën” si një objekt të kulturës materiale, i cili përveç që në vete ka vlerën e përdorimit dhe këmbimit, (për nga aspekti ekonomik) ai gjithashtu reflekton pikëpamje të tjera shoqërore e kulturore me interes për njohjen e konteksteve në të cilat ai qarkullon. Pra, do të bëjmë përpjekje të njohim xhubletën nga aspekte të ndryshme, (të vjetra e të reja), sa u përket vështrimeve shkencore e ku do të hyjnë historiku, vendi i përdorimit, teknikat e prodhimit, kushtet sociale e ekonomike dhe përmbajtjet kuptimore, simbolike e shoqërore që ka pasur dhe fiton me kohë xhubleta si një produkt, objekt dhe në fund të fundit edhe artefakt kulturor.

Rrethanat që e kushtëzojnë ekzistimin e xhubletës
Rrethanat mund të konsiderohen si historike, gjeografike dhe ekonomike. Historike – sepse është një prodhim apo artefakt me histori të lashtë që nga neoliti, që u bart tek ilirët dhe vazhdoi e vazhdon jetën ndër shqiptarë; gjeografike – meqë u ruajt në një zonë me komunikim të kufizuar me rajonet e qytetet e tjera dhe ndikimet e çfarëdo lloji ishin më të vogla ose nuk kishte fare (kultura otomane) etj.; ekonomike – meqë zhvillimi i ekonomisë në atë rajon ishte tejet i ngadalshëm
Xhubleta paraqet një veshje të veçantë në kuadër të veshjeve popullore shqiptare. Ajo shtrihet në një hapësirë të kufizuar të trojeve shqiptare që përfshinë Malësinë e Shkodrës deri në Gurrëz të Milotit, një pjesë të shqiptarëve të Malit të Zi që banon përreth Bjeshkëve të Nemuna, është përdorur në Rugovë të Kosovës, ndër kelmendasit e shpërngulur gjatë shekullit XVII në Srem të Kroacisë, si dhe në rreth të Pukës e zonë të Shllakut të Shkodrës.
Në aspektin ergologjik njëri ndër dimensionet më të rëndësishme për një artefakt është lashtësia që dëshmon artefakti përkatës. Prejardhja e xhubletës konsiderohet të jetë mesdhetare dhe lashtësia 4000-vjeçare. Këto të dhëna janë mbështetur në gjetjet arkeologjike në Kliçavec të Bosnjës, të figurinave shumë të ngjashme si në formë, edhe në ornamentikë me xhubletën. Disa autorë konsiderojnë se xhubleta ka origjinë kreto-mikenase, por ajo u integrua mirë në kulturën ilire dhe vazhdoi e vazhdon jetën e saj në forma të ndryshme deri në ditët e sotme.
Me studimin e xhubletës u morën autorë të huaj edhe shqiptarë dhe tek të gjithë la mbresë forma e saj unike dhe teknika e punimit. Tipi i Xhubletës si strukturë përbëhet nga xhubleta, kraholi, grykëza, mëngët, paraniku e mbështjellaku. Ajo paraqitet në tri variante sipas ngjyrës së saj (të bardhë, të zezë, të kuqe) dhe dy variante sipas formës (xhubleta e gjerë dhe xhubleta e ngushtë). Forma e saj është konike, e valëzuar dhe punohet duke kombinuar rripat e shajakut – zhgunit e spikut të zi dhe ivat e zhgunit të bardhë. Zbukurimi i kostumit të xhubletës, si dhe pjesëve përbërëse të saj si: kërdhoklës, pështjellakëve, jelekut dhe çorapeve është në unitet artistik. Nga malësorët e rënë në fushë, me kohë disa pjesë të strukturës së veshjes me xhubletë zëvendësohen me materiale të tjera, por vetë xhubleta e reziston këtë dukuri. Në tipin e xhubletës së kuqe, për shkak të ndikimit të tregut të Shkodrës, vërehen ca ndryshime në strukturën e xhubletës, meqë aty janë futur në përdorim edhe “coha e kuqe, kadifeja e bohçja dhe rruazat e qelqta”. Shikuar përgjithësisht, për xhubletën mund të thuhet se kërkon një njohje të komplikuar të teknikës. Me prerjet e shumta të zhgunit të bërë në evlamend, me copat e shumta të spikut e gajtanit të leshit, me qepjet dhe mbiqepjet e këtyre pjesëve të shumta në numër, si dhe zbukurimet e tjera nëpër iva, dëshmohet kërkesa e njohjes dhe mjeshtërisë specifike për ta bërë këtë veshje. Në aspektin ergologjik njohja e teknikës paraqet një vlerë në vete, sepse në të lidhen lashtësia, zhvillimi ekonomik e shoqëror, mjeshtëria, shkathtësia, por, pse jo, edhe rolet gjinore brenda një shoqërie e të tjera.
Xhubleta është prodhim i ekonomisë shtëpiake dhe vetëm më vonë disa nga materialet përbërëse blihen të gatshme në treg, por edhe atëherë në to intervenohet me punë dore e me spik të bërë në shtëpi. Ky fakt mund të vështrohet si fakt apo rrethanë që kushtëzon ekzistimin e xhubletës, por edhe si teknikë apo teknologji e prodhimit me vlerë të veçantë kulturore e ergologjike. Ekonomia shtëpiake është ekonomi e shoqërive të lashta me ç’rast mundësohet vetëpërmbushja e kërkesave të një grupi të caktuar shoqëror, siç është në rastin e shqiptarëve familja e madhe, megjithëse edhe familjet e vogla përmbushnin kërkesat me po të njëjtën ekonomi.
Prodhimet e bëra në një ekonomi shtëpiake kanë vlerë të konsiderueshme për aspektin ergologjik, meqë kjo ekonomi karakterizohet me një stabilitet në teknikë të punës dhe aplikim të motiveve. Ekonomia shtëpiake te ne ishte dominuese deri në shekujt XVIII e XIX, kur filloi të zhvillohet zejtaria, pra kjo ekonomi paraqet një nivel të caktuar të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, kultivimin e kulturave të caktuara bujqësore e blegtorale në kohë e hapësirë, si dhe shkallën e zhvillimit të teknologjisë, e me të gjitha këto reflekton edhe në produktet e saj. Me këtë rast mund të bëhet një lidhje mes xhubletës, lashtësisë, teknikës dhe ekonomisë me faktin se kjo ekonomi kultivohet që nga neoliti dhe që endja dhe tjerrja e tekstileve është po ashtu zbulim i kësaj kohe, i lidhur me zbulimin e evlamendit vertikal. Por edhe prejardhja e xhubletës konsiderohet 4000-vjeçare, e që përkon me periudhën e neolitit.
Aspektet e tjera të vlerës së xhubletës
Për aspektin ergologjik, apo për jetën kulturore të një objekti, siç u tha, janë të rëndësishme dy lloje të njohjeve mbi artikullin e prodhuar: Njohja e prodhimit (teknika, aspekti social dhe estetik), por edhe njohja e konsumimit të drejtë. Këto njohje pastaj ndërlidhen me kuptimet e shumta kulturore, shoqërore e ekonomike që një objekt, artefakt, komoditet bart më vete. Natyrisht se duke qenë produkt i ekonomisë shtëpiake, xhubleta nuk paraqet një komoditet me tendenca të mëdha të këmbimit bashkëkohor, por megjithatë në një aspekt këmbimor xhubletën mund ta shohim me rastin e martesave dhe përgatitjes së pajës. Në këtë rast familja e djalit e dërgon materialin si lëndë të parë te nusja dhe kjo pastaj i përgatit xhubletat si prodhim, si objekt final, madje deri në pesë sosh, varësisht prej gjendjes ekonomike, të cilat do t’i përdorë gjatë gjithë jetës së saj. Këtu sërish vlera e këmbimit varet nga gjendja ekonomike e familjeve dhe statusi shoqëror i tyre.
Sa i përket vlerës këmbimore të tregut, edhe pse në numër tejet të pakët, xhubleta sot si artikull apo komoditet, në dyqane të veçanta, arrin çmimin deri në 150 € (më pak se një rrogë mesatare e punëtorit). Megjithatë xhubleta më tepër mund të konsiderohet si një artefakt i cili shquhet për vetitë e saja të Singularizimit individual dhe më pak kulturor. Kohëve të fundit xhubletën e vërejmë edhe kulturalisht të singularizuar çdo herë e më shumë, në kuptimin e autorit Igor Kopytoff, me ç’rast xhubletën e shohim të bartet si trashëgimi personale, gjë që dhurohet për kujtim dhe e cila pasurohet me vlera të ndryshme sentimentale. Ndërsa, si artikull të singularizuar kulturor e shohim të ekspozuar në koleksionet e muzeve si art me vlera trashëgimore e kombëtare. Për xhubletën gjithashtu është karakteristik fakti se ajo, jo vetëm si e veçantë, por së bashku me pjesët e tjera shoqëruese, informon dhe komunikon në mënyrë simbolike.
Stolitë e kokës, të qafës e sidomos të kraharorit krijojnë efekte të veçanta artistike te kostumi me xhubletë. Autorët A. Gjergji dhe A. Bido në mënyrë interesante përshkruajnë kompleksitetin e kostumit me xhubletë, duke shpjeguar harmonizimin e punimit të vetë xhubletës me më tepër apo me më pak zbukurime në pjesë të caktuara të saj dhe plotësimit të saj me pjesët shoqëruese, siç janë brezi, paraniku e prapaniku të pasura me ornamentikë. Sipas Andromaqit, kapica dhe zbukurimet e saj me pafta argjendi paraqisnin simbole të kulteve të hënës dhe diellit. Kurse zbukurimet në kokë, gjoks e prehër, sipas Bidos, kanë lidhje me kultin e mëmësisë, që në aspektin artistik marrin vlera të veçanta.
Simbolikat kulturore dhe aspekti socializues
Simbolikat kulturore, përveç atyre të sipërpërmendura, na shpalosen bukur me anë të ornamentikës që e gjejmë të aplikuar në xhubletë, por edhe në mënyra të tjera, siç është rasti kur në rastet e vdekjes paraniku i xhubletës së atyre që ngushëllojnë kthehet mbrapsht, në rastet e amoralit – prerja e thekëve të kraholit simbolizon turpin, etj. Pastaj kemi motivet e ornamentikës me natyrë gjeometrike, kozmike, floreale, zoomorfe, antropomorfe e të ndryshme. Me këto motive dalin në pah besimet në kulte të ndryshme, si në diell, hënë, gjarpër, shqiponjë. Me anë të këtyre motiveve, por edhe të zbukurimeve shoqëruese metalike dhe rruazave të qelqta mund të shihet edhe besimi në forcën mbrojtëse apotropeike të veshjes dhe e të menduarit magjik. Pastaj gjithashtu është i pranishëm simbolizmi i ngjyrave që mund të vështrohet në rrafshin e teknikës dhe në atë kuptimor informativ për statusin shoqëror (vajzë, nuse, plakë).
Këto të dhëna na mundësojmë të komentojmë se në aspektin ergologjik xhubleta dhe pjesët përbërëse të saj mbajnë në vete një komunikim simbolik të shumëfishtë. Këtu mund të shohim të gërshetuar përveç lashtësisë, edhe besimet në kulte të ndryshme në lidhje të ngushtë me atë lashtësi. Pra, reflektimin edhe të stadeve të ndryshme zhvillimore të kulturës, ku xhubleta është bartur dhe bartet.
Aspekti socializues i xhubletës si artefakt mund të shihet në të dhënat, që u përmendën edhe më sipër, se ajo na paraqitet në tri ngjyra kryesore: të bardhë, që simbolizon dhe komunikon vajzërinë si status shoqëror, të kuqe, e cila njihet kryesisht si veshje e nuseve, apo veshje e mirë, dhe zakonisht shoqërohet me të gjitha pjesët e tjera shoqëruese të veshjes me xhubletë, si strukturë, dhe të zezë, që kryesisht bartet nga plakat, pra tregon një status tjetër shoqëror. Kështu, përveç socializimit që mundësohet gjatë përgatitjes/punimit të saj, shohim edhe ngërthimin e komunikimit të simbolizmit shoqëror që bart ajo në një kulturë, në këtë rast simbolizimin e rinisë, pjekurisë dhe pleqërisë.
Për të ofruar një të dhënë sa më të shkurtër dhe sa më të plotë për pasurinë që ka xhubleta në komunikim të kodeve sociale e simbolike, do të përmendim pesë xhubletat e përgatitura në pajë të nuses: “e mira”, “pas mira”, “e pesta”, “e parasëkeqes”, dhe “e keqja”. “E mira” ishte petk i nusërisë, por që nëse nuk dëmtohej ruhej edhe si petk i vdekjes, nëse dëmtohej, atëherë si petk i vdekjes përdorej “e pesta”. Xhubleta “e mirë” dhe “e pasmira” ishin pjesë të kostumit ceremonial; ndërsa xhubleta “parasëkeqes dhe e keqja“ përdoreshin si veshje e përditshme. I gjithë ky komunikim me anë të xhubletës pasurohej edhe më shumë me ornamentikën e bujshme që ishte prezente në punimin e xhubletave. Këtu pra bëhet fjalë edhe për një vlerë estetike shumë të rëndësishme për aspektin ergologjik.

Vlera e shumëfishtë estetike
Vlera estetike e xhubletës është e shumëfishtë. Kjo estetikë reflektohet edhe në ornamentikën e saj. Vlera estetike reflekton një shije specifike të një vendi, të një grupi e cila manifestohet edhe si identitet. Në të vërtetë të gjitha aspektet e sipërpërmendura në vete ngërthejnë një identitet të veçantë. Identiteti edhe në aspektin ergologjik e kulturor paraqet një vlerë shumë të rëndësishme dhe në këto trajtime zë hapësirë të konsiderueshme, meqenëse në këtë rast ai si diçka i veçantë, i rrallë dhe unik flet për një dimension të veçantë të artefaktit si objekt i dekomoditizuar (përkundër faktit që xhubleta asnjëherë nuk arriti të ketë statusin e një komoditeti të mirëfilltë ekonomik) dhe i mveshur me vlerë kulturore. Flet si për disa aspekte të biografisë së artefaktit, ashtu edhe për vetë vlerën e artefaktit dhe domethënien e tij.
Ky identitet i veçantë etno-kulturor, përveç përmes xhubletës si artefakt në vete, është shfrytëzuar edhe përmes paraqitjes së gravurave të ndryshme të shekullit XIX, edhe përmes krijimtarisë gojore popullore dhe sot shfrytëzohet në artin e kultivuar. Këtë e themi meqë në ditët e sotme, kur xhubleta pothuaj është në zhdukje e sipër, sepse ka të dhëna se ajo më nuk është duke u prodhuar, fiton edhe më shumë në vlerë të rrallësisë dhe identitetit. Në këtë kuptim e gjejmë të ekspozuar në muze botërore (në Paris) e të vendit. Pra ka edhe vlerë muzeore. Në të ardhmen, xhubleta mund të shfrytëzohet si dëshmi e një identiteti të përbashkët mbarëshqiptar, e që më së miri e dëshmon shtrirja e saj gjeografike në tri shtetet e banuara me shqiptarë – Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi. Ndërsa në aspektin e artit të kultivuar, me praninë e saj nëpër shoqëritë kulturo-artistike që prezantohen nëpër festivale anekënd botës komunikohet përveç identitetit, edhe funksioni skenik e estetik i saj në të tashmen.
Një gjë e tillë dëshmohet edhe në manifestimin anual “Miss Bjeshka” në bjeshkën e quajtur Koritë të Malësisë së Madhe, afër Tuzit në Mal të Zi. Çdo verë këtu, me rastin e festës së bjeshkatarëve, Shën Shtjefnit, organizohet edhe zgjedhja e bukuroshes së Malësisë. Në këtë manifestim disaditor organizohen disa ngjarje. Me atë rast mbahet mesha në kishën e vendit, mbahet programi i pasur me këngë e valle, bëhet përzgjedhja e bukuroshes së malësisë, që i ngjason përzgjedhjeve moderne të bukurosheve, por megjithatë dallon sepse të gjitha kandidatet janë të veshura vetëm me kostumin e xhubletës, e nuk ndërrojnë disa lloje kostumesh si në revistat e zakonshme moderne të përzgjedhjes së bukurosheve. Përveç bukuroshes, në manifestimin e vitit 2009, gjithashtu u zgjodh dhe u shpërblye edhe veshja më e bukur e nusërisë me xhubletë. Në këtë mënyrë shohim të kultivohet në një mënyrë dhe kontekst të ri jo vetëm përzgjedhja e femrës më të bukur malësore, por edhe e vetë veshjes më të bukur me xhubletë, si artefakt që përfaqëson disa vlera kulturore.
Gjithashtu, në funksion estetik dhe identifikues sot përdoret xhubleta, apo të paktën pjesët e saj të veçanta, si përparja dhe brezi (kërdhokli), edhe nga kreatorë të modës dhe yje të artit shqiptar. Kështu shohim që kreatori i modës, Joni Peçi, konstruktoi një veshje solemne për solisten e sopranos Inva Mula, e njohur edhe botërisht, duke u shërbyer me përparje dhe brez të xhubletës, por edhe stoli koke si pjesë përbërëse të veshjes me xhubletë. Në disa raste forma dhe paraqitja e saj na paraqitet si frymëzim kreativ dhe në skena të ndryshme, ku shohim kreacione të ngjashme me xhubletën, edhe pse të punuara me materiale të tjera. Mbetet të vërtetohet më detajisht, por kreacione që ngjasojnë me xhubletën shohim të paraqiten në video-spotet muzikore, siç është rasti i Ledina Çelos, si dhe paraqitja e një shoqërueseje moderimi në festivalin “Kënga Magjike 2004”.
Tendencat për funksion të ri të xhubletës
Nga e gjithë kjo shohim se me kalimin e kohës xhubleta po përjeton ndërrimin e funksionit të saj. Duke e parë të bëhet pjesë e paraqitjeve të ndryshme skenike, madje edhe si paraqitje kostumore e trupave të baletit, mund të supozohet që për shkak të kërkesave, të përjetojë një tendencë për komoditizim.
Të gjitha këto që u thanë më sipër janë kontekste nëpër të cilat mund të shikohet xhubleta. Në punimin e etnologes sonë, Drita Halimi-Statovci, “Simbolizmi i veshjeve shqiptare” shohim veshjet në përgjithësi të vështruara në rrafshe dhe kuptime të ndryshme, simbolika dhe funksione nëpër të cilat shumë lehtë mund ta vendosim edhe vetë xhubletën. Pra xhubleta mund të dallohet si një petk shumë i lashtë në kuptim të raportit kontekstual si: veshje – domosdoshmëri; veshje – bukuri; veshje – pikëllim e gëzim; veshje – identitet (krahinor, kombëtar) e identifikime sociale (vajzë, nuse plakë); veshje – fuqi memorizuese/dhuratë; veshje – fuqi detyruese (rregulla strikte për veshjen e vajzave, nuseve dhe plakave) dhe liri (skenë dhe në trendin e globalizimit); veshje – profesion (në këtë rast si veshje skenike e SHKA-ve dhe rasteve të tjera)
Për shkak të rrallësisë dhe kërcënimit me zhdukje, lindin idetë që xhubleta të vihet nën përkujdesjen e UNESCOS si trashëgimi kulturore me vlerë të çmuar kombëtare, po pse jo edhe evropiane. Aq më tepër kur si e rrallë dhe veçantë mundëson krahasim me paraqitjen e veshjeve të ngjashme po ashtu të rrallë e të veçantë, siç është rasti i kostumit tradicional të grave në Norvegjinë Jugore. (Bido, 2006).
Vlerë tjetër interesante në aspektin ergologjik mund të konsiderojmë interesimin që zgjon xhubleta për studime profesionale, por edhe të njohjes së saj si diçka e veçantë dhe identifikuese për kulturën shqiptare. Kështu, në librin e fundit të botuar mbi xhubletën, nga autorja shqiptare Luljeta Dano, ngërthehen edhe njëra, edhe tjetra, e ndoshta edhe më shumë. Ky libër i titulluar “Perëndesha Athina dhe simbole të tjera Kozmogonike” iu dhurua nga një grup grash biznesmene shqiptare, ish-kryeministrit britanik, Toni Bler, në Londër. Pra, njohuria mbi xhubletën u përdor si dhuratë e këmbyer përmes librit. Me anë të kësaj dhurate më së miri ndoshta shihet i manifestuar kompleksiteti i një artefakti që mundohet të analizohet në aspektin ergologjik. Me formën e saj të veçantë e unike, me lashtësinë, vlerat e shumëfishta simbolike, shoqërore dhe identifikuese që komunikon dhe së fundi me shfrytëzimin e njohjes mbi të nëpërmjet librave dhe dhurimit të saj, xhubleta dëshmohet të jetë një artefakt me vlerë të çmuar ergologjike.
Ky punim botua me titullin “Xhubleta si pjesë e rëndësishme e kulturës materiale edhe në kontekste të reja” në revistën “Gjurmime Albanologjike Folklor dhe Etnologji 40” nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, GJAFE 40/2010, Prishtinë 2011. Ribotohet me lejen e autores, bashkëpunëtore e lartë shkencore në Degën e Etnologjisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Fusnotat, literatura dhe disa shënime të tjera të versionit të punimit studimor janë hequr nga Redaksia.
Vërejtje e autores: Para pak ditësh xhubleta nga UNESCO-ja u shpall pjesë e listës së trashëgimisë shpirtërore botërore në rrezik. Si rrjedhojë e definimeve e ridefinimeve të shpirtërores, në artikullin nr. 2 të Konventës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore-shpirtërore (CSICH) të vitit 2003, Trashëgimi Kulturore Shpirtërore (TKSH) përkufizohet të jenë: “Praktikat, reprezentimet, shprehjet, dija, shkathtësitë – si dhe instrumentet, objektet, artefaktet dhe hapësirat kulturore të shoqëruara me to – të cilat komunitetet, grupet dhe në disa raste individët i njohin si pjesë të trashëgimisë së tyre kulturore. Kjo trashëgimi kulturore jomateriale (shpirtërore), e bartur nga gjenerata në gjeneratë, vazhdimisht rikrijohet nga komunitetet dhe grupet si përgjigje ndaj ambientit të tyre, ndërveprimit të tyre me natyrën dhe historinë e tyre, duke siguruar kështu një ndjenjë të identitetit dhe vazhdimësisë e prandaj promovon respekt për diversitet kulturor dhe kreativitet njerëzor.” Kjo iniciativë që të ruhet nga zhdukja njohja e dijeve dhe shkathtësive për të punuar një xhubletë kontribuon në vazhdimësinë e jetës së këtij artefakti reprezentues dhe identifikues kulturor jo vetëm për shqiptarët, por edhe për gjithë njerëzimin.